Zelensky kërkon përgjigje: Çfarë bëjnë aleatët nëse Rusia nis sërish luftën kundër Ukrainës?

Presidenti Volodymyr Zelensky tha se negociatorët që aktualisht po diskutojnë një iniciativë paqeje të ndërmjetësuar nga SHBA-të kanë pikëpamje të ndryshme mbi çështjen e territoreve në lindje të vendit.

Kreu i shtetit ukrainas e ka thënë këtë në një intervistë telefonike me Bloomberg, raporton Ukrinform, përcjell Telegrafi.

“Ekzistojnë vizione të SHBA-së, Rusisë dhe Ukrainës – dhe ne nuk kemi një pikëpamje të unifikuar për Donbasin”, citohet të ketë thënë Zelensky.

Sipas presidentit, elementët e planit të SHBA-së kërkojnë diskutim të mëtejshëm mbi një numër “çështjesh të ndjeshme”, duke përfshirë garancitë e sigurisë për Ukrainën dhe kontrollin mbi rajonet lindore.

Ai shtoi se ende nuk është arritur asnjë marrëveshje në negociatat për çështjen e rajoneve të Donetskut dhe Luhanskut.

Zelensky tha gjithashtu se Kievi këmbëngul për një marrëveshje të veçantë mbi garancitë e sigurisë nga aleatët perëndimorë, kryesisht SHBA-të.

“Ka një pyetje për të cilën unë – dhe të gjithë ukrainasit – duam të marrim një përgjigje: nëse Rusia fillon përsëri luftën, çfarë do të bëjnë partnerët tanë?”, ka thënë Zelensky.