Politika e SHBA-së duhet të përjashtojë promovimin e ndryshimit të kufijve sipas vijave etnike në Ballkanin Perëndimor.
Kongresi i Shteteve të Bashkuara ka prezantuar Aktin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) që është udhërrëfyesi vjetor politik dhe strategjik për mbrojtjen, duke nënvizuar se SHBA-ja duhet të marrë parasysh avancimin e iniciativave për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe me Kosovën dhe Serbinë nën kushtin që të dyja vendet të tregojnë progres në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes tyre.
“Shtetet e Bashkuara duhet të konsiderojnë avancimin e iniciativave për të forcuar marrëdhëniet bilaterale me të dy vendet, të cilat mund të përfshijnë krijimin e dialogut strategjik me Kosovën dhe Serbinë, dhe zbatimin e iniciativave konkrete për thellimin e lidhjeve ekonomike dhe të investimeve me të dy vendet”, thuhet në dokument.
Gjithashtu, ligjvënësit amerikanë kanë udhëzuar qeverinë që të vazhdojë mbështetjen për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse midis Kosovës dhe Serbisë, në qendër të së cilës duhet të jetë njohja e ndërsjellë midis dy fqinjëve rajonalë.
Në bazë të dokumentit, politika e jashtme ndaj Ballkanit Perëndimor duhet të përjashtojë promovimin e ndryshimit të kufijve sipas vijave etnike përmes shkëmbimeve teritoriale si mënyrë për të zgjidhur mosmarrëveshjet ndërmjet shteteve të rajonit.











