Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka njoftuar se ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale kundër kryesuesit dhe anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), për dyshime të bazuara se kanë kryer disa vepra penale që lidhen me dëmtimin e bizneseve në vend, rapoerton Demokracia.com.
Sipas OEK-ut, Bordi i ZRRE-së dyshohet për këto vepra penale:
Mosekzekutim të vendimit gjyqësor
Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar
Shkelje të detyrimit zyrtar
Mashtrim në detyrë
Cenim të interesit ekonomik publik
Ky hap i OEK-ut vjen pasi organizata i kishte kërkuar Bordit të ZRRE-së që të reflektojë dhe të nisë zbatimin e aktgjykimit të Gjykatës Supreme, i cili parasheh kthimin e bizneseve të larguara me forcë në tregun e lirë, sërish në skemën e çmimeve të rregulluara. Megjithatë, sipas OEK-ut, Bordi i rregullatorit ka zgjedhur ta injorojë dhe, siç pretendohet, ta keqinterpretojë këtë aktgjykim, duke shkaktuar dëme për bizneset dhe qytetarët, të cilët tashmë përballen me faturat më të larta të energjisë në historinë e vendit.
OEK thekson se kallëzimi penal mbështetet në aktgjykimin e formës së prerë të Gjykatës Supreme, në dokumentet dhe komunikatat zyrtare të ZRRE-së, si dhe në materiale që, sipas tyre, dëshmojnë dëmin ekonomik të shkaktuar.
Organizata thotë se mbetet e vendosur të mbrojë interesat e bizneseve dhe qytetarëve në Kosovë, duke paralajmëruar se do të vazhdojë veprimet ligjore dhe institucionale për të siguruar zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e konsumatorëve. /Demokracia.com/












