Në kuadër të programit “Mbështetje për fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm dhe shumëqëllimor të pyjeve për të përmirësuar jetesën në vendet rurale dhe për të adresuar ndryshimin klimatik në Kosovë”, të zbatuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi – FAO me financim nga Bashkimi Evropian dhe Suedia, është publikuar episodi i parë i serisë së podcasteve “Duaj e Ruaj Pyjet”, kushtuar sektorit pyjor në vend.
Ky episod sjell një diskutim me Fatos Mullën, inxhinier i diplomuar i pyjeve dhe ekspert me përvojë shumëvjeçare në zhvillimin e qëndrueshëm dhe menaxhimin e burimeve natyrore.
Në fokus të diskutimit ka qenë rëndësia e pyjeve për shoqërinë, ekonominë dhe mjedisin në Kosovë, por edhe sfidat e mëdha me të cilat përballet sot sektori pyjor.
Mulla e filloi diskutimin duke theksuar rolin themelor që luajnë pyjet në jetën e përditshme.
“Pyjet janë në fryma e vendit tonë. Ato pastrojnë ajrin që thithim, ruajnë ujin që pijmë, mbrojnë tokën ku mbjellim dhe japin jetë me çdo stinë”, ka thënë ai.
Sipas tij, Kosova ka një potencial të madh pyjor që shpesh nënvlerësohet. “Gati pesëdhjetë përqind e territorit të Kosovës është e mbuluar me pyje apo tokë pyjore.”
Kjo gjendje dhe ky fakt e vendos sektorin pyjor si një nga komponentët më strategjik të zhvillimit ekonomik dhe mjedisor në Kosovë.
Prerjet ilegale dhe mungesa e kontrollit – rreziku më i madh për pyjet
Një nga shqetësimet më të mëdha që ngriti Mulla lidhet me dukurit e prerjeve ilegale të pyjeve, të cilat vazhdojnë ta dëmtojnë seriozisht sektorin.
“Sfida më mëdha në Kosovë vazhdon të jetë prerjet ilegale. Në shumë zona të Kosovës, pyjet po humbasin për shkak të mungesës së kontrollit dhe planifikimit. Nuk bëhet kontroll i mjaftueshëm sepse është gati e pamundur të mbulohet i gjithë territori”, ka shtuar ai.
Ky fenomen përfshin edhe prerje të pakontrolluara në pronat private, për të cilat nuk raportohet sasia reale e drurit të nxjerrë.
Mulla theksoi se institucioni kryesor që merret me pyjet, Agjencia e Pyjeve të Kosovës, po përballet me mungesë serioze të stafit profesional.
“Sot punojnë diku më pak se njëzet e pesë ekspertë të pyjeve. Nuk mund t’i menaxhosh gati gjysmë milioni hektarësh pyje me njëqind e pesëdhjetë punëtorë”, deklaruar ai.
Ai tha se profesioni i pylltarit nuk po tërheq të rinj, për shkak të pagave të ulëta dhe mungesës së investimeve.
Mulla nënvizoi rolin e madh të partnerëve ndërkombëtarë, sidomos të qeverisë suedeze.
“Diku afro njëzet milion euro janë investu deri tash vetëm nga qeveria suedeze. Tani çdo ekspert mundet me një iPad apo me telefon celular t’i fusë të dhënat e gjendjes së pyjeve”, ka shtuar ai.
Ligji i ri për pyjet – modern, por zbatimi mbetet sfidë
Ligji i ri për pyjet, i hartuar me mbështetjen e ekspertëve të FAO-s dhe të Suedisë, konsiderohet një kornizë moderne. Por, sipas Mullës, ai nuk po zbatohet plotësisht.
“Ky është një ligj modern, por zbatueshmëria e tij mbetet sfidë… akte të rëndësishme nënligjore akoma mungojnë”, ka deklaruar ai.
Pa këto akte sipas tij procesi i zbatimit mbetet i ngadalshëm dhe i fragmentuar.
Ai deklaron se pyjet nuk janë vetëm pasuri natyrore, por edhe burim i drejtpërdrejtë i zhvillimit ekonomik lokal dhe nacional, nga industria e drurit, te turizmi dhe produktet pyjore.
“Pyjet janë pasuri kombëtare… duhet t’u japim brezave të ardhshëm pyje të mirëmenaxhuara e të shëndetshme”, ka potencuar Mulla.
Ai theksoi se përgjegjësia për mirëmbajtjen e pyjeve është e përbashkët për qytetarët, institucionet dhe komunitetet.
Ky episod i parë shënon nisjen e një serie të dedikuar për sfidat, mundësitë dhe të ardhmen e sektorit të pyjeve në Kosovë.
Ky podcast është pjesë e serisë së podcasteve të programit “Mbështetje për fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm dhe shumëqëllimor të pyjeve për të përmirësuar jetesën në vendet rurale dhe për të adresuar ndryshimin klimatik në Kosovë”, të zbatuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi – FAO).
Video është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe Suedisë. Përmbajtja e saj nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian dhe Suedisë./Telegrafi











