Kosova paguan bujqësinë; rriten hektarët, por bien rendimentet – ndërsa Serbia, Maqedonia dhe Greqia furnizojnë raftin

Tri vite të rritjes së subvencioneve dhe sipërfaqeve të mbjella nuk kanë sjellë rritje të prodhimit, përkundrazi, importi i perimeve ka shënuar shpërthim si në sasi ashtu edhe në euro, duke dëshmuar se politika bujqësore financon mbjelljet, por jo ushqimin e vendit, shkruan Demokracia.com.

Para pak ditëve, Ministria Bujqësisë që është drejtuar deri më tani nga Faton Peci, ka publikuar në ueb-faqen e vet raportin “Analiza e tregut për sektorin e perimeve 2021–2023”.

Në shikim të parë, Kosova duket si histori suksesi bujqësor. Për aq sa ka të dhëna 2021- 2023, ministria përgjegjëse raporton më shumë hektarë të mbjellë, më shumë fermerë të subvencionuar dhe miliona euro të pompua në sektorin e perimeve. Vetëm në vitin 2023, sipas të dhënave zyrtare, mbi 3.200.000 euro u shpërndanë për 4.070 bujq që kultivojnë perime në fushë të hapur dhe serra, një rritje e dukshme krahasuar me vitet paraprake.

Por pas këtij imazhi, fshihet një realitet kokëfortë, se, ndërsa subvencionet rriten, raporti tregon se prodhimi vendor ulet gradualisht, dhe importet ngjiten më shpejt se çdo gjë tjetër në tregun bujqësor.

Bazuar në këtë raport, në vitin 2023, prodhimi i përgjithshëm i perimeve ra me 2.7% krahasuar me vitin 2022, pavarësisht se sipërfaqja e mbjellë ishte më e madhe se një vit më parë dhe rendimentet e premtuara nuk erdhën.

Kultura të tëra, si speca, fasule, shalqi, domate dhe madje edhe qepa patën rritje të hektarëve, por rënie në prodhim.

Edhe më problematike është panorama tregtare. Kosova prodhon patate, spec, shalqi, domate dhe qepë, por pikërisht këto janë kulturat që importohen më së shumti. Bazuar në këtë raport, vlera e importit të perimeve për vitin 2023 arriti afër 50.3 milionë euro, një rritje prej 48.3% brenda një viti, ndërkohë që eksporti u rrit vetëm me 16.4%, raporton Demokracia.com.

Deficiti tregtar i sektorit është thelluar në rreth 39 milionë euro, niveli më negativ në tre vitet e fundit.

Kjo krijon paradoksin e madh të bujqësisë kosovare se taksa-paguesit po financojnë bujqësinë vendore, ndërsa tregu ushqehet me prodhime të huaja.

Dhjetë kulturat kryesore përbëjnë 93% të sipërfaqes së mbjellë dhe 95% të prodhimit, por ato ende nuk arrijnë ta furnizojnë tregun me sasitë që konsumojnë qytetarët. Për shkak të mungesës së kapaciteteve ruajtëse, raporti zyrtar e pranon se eksporti kryhet vetëm gjatë sezonit të vjeljes, sepse prodhimi duhet shitur menjëherë, ose përndryshe prishet.

Ndërkohë, importi kryhet gjatë gjithë vitit, pa ndërprerje.

Pra, subvencionet, në këtë kornizë, janë investime që ndjekin hektarin, jo rezultatin. Pagesat rriten për hektarin e mbjellë, por jo për rendimentin, teknologjinë e ruajtjes, apo përpunimin. Kjo shpjegon pse sipërfaqja rritet gradualisht 19,399 hektarë në 2021 në 19,602 ha në 2023,  por prodhimi dhe furnizimi real me produkte vendore nuk ecën me ritmin e fondeve.

Në të vërtetë, bujqësia po prodhon më shumë letër sesa domate, sepse statistikat për hektar rriten, tabelat e subvencioneve shtojnë kolona të reja, por raftet e marketeve mbushen sërish me produkte të Serbisë, Maqedonisë dhe Greqisë.

Pra, siç duket, pa zinxhir ruajtës, pa përpunim të qëndrueshëm dhe pa mekanizma që shpërblejnë performancën, paratë publike shpenzohen për të subvencionuar mbjelljet, jo ushqimin.

Tri vite më shumë subvencione nuk kanë krijuar tre vite më shumë prodhim. Përkundrazi, importi po i merr frymën industrisë vendore, ndërsa fermeri me hekatar më shumë e sheh pak përfitim në xhep. Raporti. /Demokracia.com/