Protesta në Shkup për krerët e UÇK-së që s’i bashkoi as partitë shqiptare: VLEN-i në linjë me Mickoskin

Të shtunën në Shkup do të mbahet protestë në mbështetje të krerëve të UÇK-së.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, por edhe organizatat e veteranëve të luftës.

OVL-UÇK në një konferencë për media, bëri thirrje për mbështetje masive të protestës.

“Të dashur shqiptarë, shihemi në Shkup”, shkroi kjo organizatë në faqen zyrtare në Facebook.

Pas këtij njoftimi edhe kreu i BDI-së Ali Ahmeti, përmes një postimi në rrjetet sociale shprehet se Sheshi “Skënderbe” do të jetë zëri i fuqishëm i qytetarëve që kërkojnë drejtësi për çlirimtarët.

Megjithatë, mbështetje nuk do të ketë as nga partia tjetër shqiptare, VLEN.

Këta të fundit, kanë dalur në linjë me kryeministrin Mickoski, i cili tha se nuk duhet të mbështetet kjo protestë.

“Kemi përgjegjësi që këto tema të trajtohen me maturi, e jo me improvizime të një partie që është zënë ngushtë dhe sa herë gjendet në krizë manipulon ndjenjat e shqiptarëve. VLEN respekton çdo protestë që lind natyrshëm nga shqiptarët. Ajo që kundërshtojmë është përdorimi i emrit të UÇK-së për të mbuluar dështimet, aferat dhe frikën nga zhdukja politike”, thonë nga VLEN.

E në lidhje me këtë ka reaguar kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, duke thënë se nuk e mbështet këtë marsh.

“Me këtë protestë po mundohen të moblizohen para Kongresit të partisë. Me këtë ata vetëm po e vërtetojnë se do ta kenë shumë të vështirë që në të ardhmen të gjejnë partner të koalicionit. Unë nuk e mbështes këtë ide dhe as nuk pajtohem me këtë marsh. Jam i bindur që as VLEN nuk do ta mbështesë”, u shpreh ai.

OVL e UÇK-së i ka quajtur deklaratat e Mickoskit “përçarëse”. Gazmend Syla tha se Maqedonia e Veriut, si shtet që synon anëtarësimin në BE, duhet të garantojë të drejtën për protestë dhe të mos krijojë pengesa.

Ai theksoi se protestat e veteranëve janë mbajtur edhe në vende të tjera dhe se nuk kanë synuar të ndërhyjnë në proceset e brendshme të asnjë shteti.

Protesta e 13 dhjetorit në Shkup vjen pas Prishtinës, Hagës, Tiranës dhe Strasburgut.

Mbetet të shihet se cilat parti në Kosovë do ta mbështesin këtë protestë, dhe kush do të jetë folës.