Londra po teston një flotë dronësh nënujore për të ndjekur anijet spiune ruse pranë brigjeve britanike, si pjesë e strategjisë së re të Marinës Mbretërore për të mbrojtur bregdetet dhe infrastrukturat kritike. Dronët, të njohur si SG Fathom ose “glidera nënujore”, janë si torpedo të pilotuara nga distanca dhe mund të patrullojnë nën ujë për ditë të tëra, duke lëvizur në heshtje.
Katie Raine, përgjegjëse e programit Fathom, tha për BBC-në se dronët monitorojnë thellësitë e oqeanit dhe identifikojnë kërcënimet më shpejt se më parë.
Nëse provat rezultojnë të suksesshme, Fathom mund të integrohet në Atlantic Bastion, një rrjet dronësh, anijesh luftarake dhe avionësh survejimi për të mbrojtur infrastrukturat nënujore.
Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar për një rritje të aktivitetit nënujor rus, me një shtim prej 30% të anijeve që kërcënojnë ujërat britanike në dy vitet e fundit.
Strategjia britanike synon jo vetëm mbrojtjen e Marinës Mbretërore, por edhe sigurinë e kabllove nënujore dhe objektivave të tjerë jetikë, pas incidenteve si ai i muajit të kaluar me anijen ruse Yantar, e cila përdori lazer kundër pilotëve të RAF-it që e monitoronin.











