Vitet kalojnë dhe futbolli mbetet po aq i paparashikueshëm, sa i paqartë. Para disa muajsh, Liverpool-i festonte titullin e Premier League duke mundur çdo rival. Mbajtja e Mohamed Salah dhe Van Dijk, të cilët mund të ishin larguar si lojtarë të lirë, dukej si garant i vazhdimësisë së suksesit në “Anfield”.
Megjithatë, verën e kaluar u largua Luís Díaz, që nuk ishte vlerësuar mjaftueshëm. Më pas ndodhi tragjedia e vdekjes së Diogo Jota në një aksident rrugor. Megjithë blerjet milionëshe, Liverpool-i po përballet me një krizë të madhe sportive, Salah ka konflikte të hapura me trajnerin Arne Slot. “Papritmas nuk kemi asnjë marrëdhënie. Duket sikur klubi më ka hedhur nën autobus dhe fajin e kërkojnë vetëm tek unë”, – tha Salah në “Elland Road”.
Wayne Rooney, legjendë e futbollit anglez, kritikoi sjelljen e tij: “Slot duhet të tregojë autoritet, t’i thotë se nuk udhëton me skuadrën dhe çfarë ka thënë është e papranueshme. Ai po dëmton trashëgiminë e vet te Liverpool-i. Është i papërgjegjshëm ndaj shokëve, trajnerit dhe tifozëve”. Rooney shtoi se Salah ka krijuar një atmosferë negative në dhomën e zhveshjes me shumë lojtarë të rinj dhe se do të pendohet për këtë sjellje.
Që nga mbërritja në “Anfield” më 2017, Salah ka shënuar 250 gola në 420 ndeshje, por këtë sezon nuk po jep maksimumin. Rooney theksoi: “Këto deklarata ishin arrogante në një moment kur Liverpool-i ka më shumë nevojë për të”.
The post Rooney del kundër Salah: Deklarata arrogante, po dëmton imazhin e tij te Liverpool appeared first on Telesport.










