Tregu i banesave në Kosovë ka qenë në rritje për pjesën më të madhe të viteve të fundit. Ritmi i rritjes në varësi të qytetit mbetet i pabarabartë, me Prishtinën që mban përqindje të lartë krahasuar me shumicën e komaunve tjera. Fillimi i vitit 2025 solli shtrenjtimin më të madh në nivel vendi, ndonëse jashtë Prishtinës, rritjet vjetore në të njëjtën periudhë ishin dukshëm më të ulëta.
Agjencia e Statistikave të Kosovës publikoi për herë të parë Indeksin e Çmimeve të Pronave të Banimit në baza tremujore, një matës të ri i ndërtuar mbi të dhëna administrative të transaksioneve nga Agjencia Kadastrale e Kosovës.
Sipas këtij Indeksi, rritja vjetore e çmimeve në nivel kombëtar, arriti kulmin në tremujorin e parë të 2025-s me 7.8 për qind, ndërsa rritje të larta janë vërejtur edhe në disa tremujorë të viteve 2022 deri 2024.
Të dhënat e agjencisë e nxjerrin 2022-n si vitin me rritjen mesatare vjetore më të lartë, i ndjekur nga afër nga 2024 dhe 2023, duke nënvizuar se si periudha pas pandemisë i riformësoi vlerat e banimit.
| Viti | Tremujori | Indeksi (2018=100) |
Ndryshimi Vjetor (%) |
|---|---|---|---|
| 2021 | TM 1 | 104.2 | 0.5 |
| TM 2 | 103.9 | 3.7 | |
| TM 3 | 105.1 | 2.1 | |
| TM 4 | 105.7 | 3.4 | |
| Mesatarja | 104.7 | 2.4 | |
| 2022 | TM 1 | 106.0 | 1.8 |
| TM 2 | 109.3 | 5.2 | |
| TM 3 | 111.5 | 6.1 | |
| TM 4 | 111.0 | 5.0 | |
| Mesatarja | 109.4 | 4.5 | |
| 2023 | TM 1 | 111.8 | 5.5 |
| TM 2 | 114.3 | 4.6 | |
| TM 3 | 113.1 | 1.4 | |
| TM 4 | 114.8 | 3.4 | |
| Mesatarja | 113.5 | 3.7 | |
| 2024 | TM 1 | 115.1 | 3.0 |
| TM 2 | 118.4 | 3.6 | |
| TM 3 | 118.0 | 4.3 | |
| TM 4 | 120.8 | 5.3 | |
| Mesatarja | 118.1 | 4.0 | |
| 2025 | TM 1 | 124.1 | 7.8 |
| TM 2 | 123.4 | 4.2 |
Në Prishtinë, ku vlerësohet se zhvillohet rreth gjysma e të gjitha transaksioneve të banimit, rritja ka qenë ndjeshëm më e lartë. Ndarja rajonale tregon se kryeqyteti e ka tejkaluar vazhdimisht pjesën tjetër të vendit, përfshirë një rritje vjetore prej 11.3 për qind në tremujorin e parë të 2025-s dhe 6.5 për qind në tremujorin e dytë.
Indeksi mbulon periudhën nga tremujori i parë i vitit 2018 deri në tremujorin e dytë të vitit 2025, me 2018-n si vit bazë. Sipas ASK-së, metodologjia përputhet me standardet ndërkombëtare dhe përdor një qasje hedonike të zhvilluar me mbështetje teknike nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Pavarësisht kërkesës së lartë që rrit çmimet, dhjetëra mijëra pronave u mungojnë banorët. Regjistrimi i fundit i popullsisë zbuloi se 30.7% e banesave në Prishtinë janë të pabanuara.
Ky fenomen është edhe më i theksuar në zonat rurale: Dragashi mban rekordin ku gati gjysma e shtëpive (43.4%) janë bosh, i ndjekur nga Istogu me 41.2% të njësive të pashfrytëzuara.











