KQZ shtyu diskutimin për afatet e votimit me postë, mes paralajmërimeve se vonesat mund të rrezikojnë të drejtën e mërgatës për të votuar në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Gjatë mbledhjes së sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, u kërkua shtyrja e pikës 3.1 të rendit të ditës, e cila parasheh shqyrtimin e opsioneve dhe afateve për votimin me postë në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit. Kjo çoi në debat të ashpër mes anëtarëve të KQZ-së lidhur me ndikimin që një shtyrje e tillë mund të ketë te mërgata.
Anëtari i LVV-së në KQZ, Alban Krasniqi, kundërshtoi kategorikisht shtyrjen, duke paralajmëruar se një vendim i tillë mund të cenojë rëndë të drejtën e votimit të shqiptarëve jashtë vendit.
“Jemi buzë një procesi që mund të pengojë të drejtën e diasporës për të votuar. Çfarëdo shtyrje për ditë tjetër është dështim i procesit. Afatet e paraqitura rrezikojnë seriozisht dërgimin e zarfeve dhe realizimin e votimit nga mërgata”, tha Krasniqi, duke shtuar se personeli po punon mbi 12 orë në ditë dhe çdo vonesë “futet në domenin e rrezikimit të procesit”.
Në anën tjetër, anëtari i KQZ-së Muharrem Nitaj theksoi se ekziston edhe një mundësi alternative – dërgimi i fletëvotimeve përmes platformës elektronike duke kërkuar që të mos paragjykohet funksionimi i postës.
“Vendimi në KQZ ka qenë që fletëvotimet të dërgohen me postë, ndërsa në dokumentin që na vjen sot thuhet se dërgohen përmes platformës. Nuk ka nevojë për kohë shtesë dhe është e mundur që posta të dështojë. Nëse dështon, kërkoj që të vijë përsëri në votim”, u shpreh Nitaj.
Pas debatit, anëtarët e KQZ-së kaluan në një pauzë 45-minutëshe, për të vijuar më pas me shqyrtimin e çështjes.











