Kanadaja heq Sirinë nga lista e shteteve që mbështesin terrorizmin

Vendimi pason zhvillimet politike në Siri, ku HTS rrëzoi Bashar al-Assad-in dhjetorin e kaluar dhe mori kontrollin e qeverisë.

Kanadaja ka hequr Sirinë nga lista e shteteve që mbështesin terrorizmin dhe anuloi ”Hayat Tahrir al-Sham” (HTS) si entitet terrorist duke iu bashkuar një sërë vendesh perëndimore që po zbusin sanksionet ndaj Damaskut.

Vendimi pason zhvillimet politike në Siri, ku HTS rrëzoi Bashar al-Assad-in dhjetorin e kaluar dhe mori kontrollin e qeverisë.

Në një deklaratë, Ministria e Jashtme e Kanadasë theksoi se ”këto vendime nuk janë marrë lehtë”, duke nënvizuar se janë të harmonizuara me hapat e fundit të ndërmarrë nga aleatët, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britaninë e Madhe .

Sipas Otavës, ato pasqyrojnë përpjekjet e qeverisë së tranzicionit sirian për të forcuar stabilitetin në vend.

Kanadaja e kishte futur Sirinë në listën e shteteve mbështetëse të terrorizmit në vitin 2012, kur shtypja e protestave prodemokratike nga regjimi i Assad-it e zhytën vendin në luftë civile.

Ndërkohë, HTS-ja ka qenë i sanksionuar prej vitesh për shkak të lidhjeve historike me Al-Kaidën, por disa shtete perëndimore kanë nisur ta heqin nga listat terroriste për të mundësuar bashkëpunim me qeverinë e re të udhëhequr nga ish-jihadisti Ahmed al-Sharaa.

Sipas autoriteteve kanadeze, drejtuesit e rinj të Sirisë po përpiqen të shkëputen nga e kaluara e dhunshme dhe të projektojnë një imazh më të moderuar ndaj popullit sirian dhe komunitetit ndërkombëtar. Ky rikthim i Sirisë në skenën diplomatike shihet si një hap i rëndësishëm për të zhbllokuar ndihmat dhe bashkëpunimin rajonal.