A po rrezikon Kosova “skenarin bullgar”?

Kosova përballë një cikli të mundshëm zgjedhjesh të përsëritura që rrezikon të konsolidojë paqëndrueshmërinë politike dhe një vakum institucional që ndikon direkt në stabilitetin ekonomik.

Në Kosovë gjatë vitit 2025 u zhvilluan plotë katër raunde zgjedhjesh. Dy për zgjedhjet lokale (12 tetor dhe 9 nëntor) dhe dy për zgjedhjet parlamentare (9 shkurt dhe ajo e cila do të mbahet më 28 dhjetor)

Një paqëndrueshmëri të tillë politike me një mori zgjedhjesh të përsëritura kishte përjetuar edhe Bullgaria.

Nga viti 2021 deri në fund të vitit 2024, Bullgaria zhvilloi rreth shtatë zgjedhje parlamentare për shkak të pamundësisë për të formuar qeveri të qëndrueshme. Pas zgjedhjeve të prillit 2021, GERB – parti konservatore e qendrës së djathtë – doli e para, por nuk arriti të siguroi partnerë koalicioni, duke çuar vendin në zgjedhje të përsëritura në korrik, të cilat po ashtu nuk prodhuan shumicë funksionale.

Edhe pas votimit të tretë në nëntor 2021, koalicioni i krijuar atëherë u rrëzua vetëm pas disa muajsh, në qershor 2022. Paqëndrueshmëria politike vazhdoi me zgjedhje të reja në 2022, 2023 dhe 2024.

Sa janë reale gjasat që “skenari bullgar” të përsëritet edhe në Kosovë?

Kosova, beson analisti politik, Afrim Kasolli, ka hyrë tashmë në këtë cikël të krizave permanente politike.

“Në rastin e Kosovës, nuk mund të mohohet fakti se tashmë është shpenzuar mirëbesimi ndërmjet të gjitha subjekteve politike. Asnjëra palë nuk i beson tjetrës. Prandaj, vështirë se do të ketë efekt pozitiv as zotimi i partive ‘opozitare’ se nuk kanë vija të kuqe”, thotë ai për Albanian Post.

Lëvizja Vetëvendosje, vlerëson ai, nuk është e interesuar ta ndajë pushtetin me partitë e tjera.

“Sepse, po të ishte interesuar, nuk ka pasur nevojë të shkohet në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme. Ka mundur ta bëjë edhe aktualisht. Ajo kalkulon se mund t’i fitojë 50 për qind të mbështetjes së trupit elektoral”.

Por, as partitë që në legjislaturat e kaluar ishin në opozitë, sipas tij, nuk kanë dhënë shenja se janë në gjendje të bashkëqeverisin pa LVV-në.

“Prandaj, në këtë klimë duket se zgjedhjet e 28 dhjetorit do të jenë vetëm një lloj rilegjitimimi i kësaj krize politike, sa një mundësi për shtegdalje”.

“Skenari bullgar” që nënkupton një cikël të përsëritur zgjedhjesh për shkak të pamundësisë për të formuar qeveri stabile, lidhet me disa faktorë si fragmentim të lartë politik, polarizim të thellë, mungesë besimi midis partive, por edhe me një kulturë të brishtë koalicioni.

Në rastin e Kosovës, vlerëson ish-diplomati kosovar, Blerim Canaj, ekziston një rrezik potencial që të shfaqen dinamika të ngjashme, por jo domosdoshmërisht situatë e pashmangshme.

“Nëse partitë kryesore vazhdojnë të mbajnë linja të forta konfrontuese dhe refuzojnë bashkëpunimin përderisa rezultati zgjedhor prodhon diferenca të vogla mes blloqeve politike e vazhdohet sikur deri tani që subjektet mbeten të pozicionuara më shumë mbi kalkulime elektorale sesa mbi përgjegjësi institucionale atëherë po, mund të futemi në diçka të tillë”, potencon ai për Albanian Post.

Megjithatë dallimi në gjithë këtë mes, sipas Canajt, është se Kosova ka një traditë më të shpeshtë të formimit të qeverive të koalicionit pavarësisht vështirësive.

“Pra, rreziku ekziston, por kapaciteti për kompromis politik në Kosovë historikisht ka qenë paksa më i lartë se në rastin bullgar. Por kjo ka qenë kur zgjedhjet fitoheshin nga ndonjë parti shtetformuese andaj këtë herë e tëra do të varet shumë nga ajo se kush i fiton zgjedhjet”.

Por, cilat mund të jenë pasojat e mungesës së një qëndrueshmërie institucionale?

Kasolli konsideron se Kosova veçse ka filluar t’i ndjejë pasojat e këtij vakumi institucional.

“Kosova vazhdon të jetë e privuar nga qasja në shumë burime financiare ndërkombëtare për shkak të mungesës së institucioneve qendrore, si mosratifikimi i Marrëveshjes me BE-në për Planin e Rritjes, apo edhe me Bankën Botërore”, potencoi ai për AP.

Vitin e ardhshëm për shkak të mungesës së institucioneve qendrore, thotë Kasolli, situata socio-ekonomike e qytetarëve mund të përkeqësohet edhe më tej.

“Vendi do të hyjë në vitin e ardhshëm pa miratimin e Ligjit mbi Buxhetin, duke e shtuar edhe më shumë ankthin mbi pasigurinë ekonomike dhe sociale, si dhe krizën e përgjithshme. E të mos flasim këtu për trazimet globale që janë duke ndodhur. Dhe në tërë këtë dinamikë, partitë politike janë përcaktuar për status quo, e cila realisht do të ketë pasoja të paparashikueshme, si sa i përket zhvillimeve të brendshme, ashtu edhe pozicionit ndërkombëtar të shtetit”.

Kur zgjedhjet përsëriten vazhdimisht pa prodhuar stabilitet, sipas Canajt, krijohet ndjenja se politika është e paaftë të japë zgjidhje.

“Në Bullgari këtë e pamë të shoqëruar me rënie të daljes në votime. Një efekt i ngjashëm mund të shfaqej edhe në Kosovë. E mungesa e qeverive të qëndrueshme shpesh i shtyn partitë drejt retorikës më të ashpër për të mobilizuar bazën, duke krijuar rreth vicioz, jo zgjidhje, diçka që neve po na ndodhë tani”, potencon ai.

Për Kosovën, konsideron Canaj, stabiliteti institucional është kritik për dialogun me Serbinë, për proceset integruese me BE-në dhe për menaxhimin e raporteve me partnerët ndërkombëtarë.

“Pa një qeveri funksionale, Kosova do të vazhdonte në negociata me pozicion të dobësuar. Më tutje, tregu dhe investitorët reagojnë negativisht ndaj pasigurisë politike. Kjo mund të ndikojë në rritje të kostove të borxhit, ulje investimesh dhe ngadalësim ekonomik”.

Në këto kushte, Kosova përballet me një sfidë të dyfishtë: një cikël të mundshëm zgjedhjesh të përsëritura që rrezikon të konsolidojë paqëndrueshmërinë politike dhe një vakum institucional që ndikon direkt në stabilitetin ekonomik, social dhe pozicionin ndërkombëtar të vendit.