Ka institucione të kapura, por ka edhe aso që janë në derexhe më të rëndë se kapja. Fjala është për ato raste ku përfaqësuesit e partive antipopuliste rezignojnë ose konformohen përballë emisarëve shtetshtatërrues të VV-së. Nëse në letër Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është dorëzan për integritetin e zgjedhjeve, ky institucion po shkruan me vetëdije të plotë një dosje fatale për reputacionin e Kosovës në sytë e botës. Përfaqësuesit e cilësdo parti thuajse kanë pranuar heshturazi që të drejtohen nga mujsharë si Alban Krasniqi e Sami Kurteshi. Ajo që nuk përkapet nga kamerat është realiteti i dhimbshëm ku pjesa tjetër e stafit pëson zullum të përditshëm psiqik nga emisarët e partisë. KQZ-ja, për efekte elektorale e për hesap të VV-së, nuk e certifikon Listën Serbe, por në muajt kur nuk ka zgjedhje e fushata i ndan para të njëjtës parti. Këto makinacione po e bëjnë Kosovën shtetin më të pakëndshëm e më të neveritshëm për krejt Perëndimin…
Col MEHMETI
Më 1974, artistja konceptuale Marina Abramoviq e realizoi në Napoli performancën Rhythm 0.
Audienca ftohej që ta prekte artisten me ndonjërin nga 72 sendet e vendosura në ekspozitë: trëndafil, substancë aromatike, mjaltë, bukë, verë, gërshërë, brisk, shkop metalik, revole e një dyzinë gjërash të tjera.
Gjatë performancës që zgjati gati gjashtë orë, dikush fillimisht e përqafoi e dikush i dhuroi një lule. U duk si një triumf mashtrues i njerëzillëkut.
Por napolitanët dalëngadalë nisën ta prekin në vende intime, aq sa kah përfundimi teshat e Abramoviqit ishin bërë zhele nga prekjet e dhunshme.
Kur u hoq edhe ndalesa e fundit morale, dikush madje u mat edhe ta tërhiqte këmbëzen e revoles mbi kryet e saj.
Në një bartje përtejartistike, rasti i Abramoviqit është i njejtë me psikopatinë e Vetëvendosjes, partinë të cilën shqiptarët e patën taksirat tash e pesë vjet.
Ajo fillimisht nisi të eksperimentonte me prekje intime, e në fund përfundoi duke desakralizuar gjithçka të shenjtë.
KQZ-ja, bie llafi, është shembull sesi një institucion dikur me vlerë ra viktimë e një perversioni të papërshkrueshëm.
Përmes saj, VV-ja i bën realitet fëlliqësitë e saj, porse fatura nuk i shkon asaj e as emisarëve si puna e Alban Krasniqit e Sami Kurteshit.
Kosova, më në fund, po e meriton izolimin e saj si një qymez i lënë në mjerimin e vet vetmitar.
Që të fshihet ky realitet infernal, ku të gjithë na injorojnë, regjimi albinkurtist e shpiku punën e ‘sovranitetit’.
Shkatërrimi me letra i institucioneve
Është njëfarë bestytnie midis nesh sikur shkatërrimi i institucioneve ndodh vetëm kur barbarët hyjnë brenda tyre me çomange, topuzë e harqe.
Shkatërrimi shihet i reduktuar si një akt i skajmë kufitar që mund të ndodhë vetëm hipotetikisht në një të ardhme të tejlargët.
Por, ndërgjegjja na qetësohet duke i dhënë vetes gajret se kultura demokratike është aq e fortë sa cilido akt i dhunshëm do të ishte njësoj si turri i personazheve të Servantesit kundër mullinjve të erës.

Sidoqoftë, institucionet shkatërrohen jo nga barbarë zgjebsa që kapërcejnë muret, por kur vullnetet e liga hyjnë brenda kalasë pa zgjuar asfarë dyshimi.
Ata prore janë në rregull me letra dhe cilido gardian vigjilent do të konstatonte sesa shembullorë janë motherfucker-at në dimensionet teknike të demokracisë.
Betimi i shkatërruesve
Me 24 shkurt 2023, ai rrinte gatitu para ‘presidentes’ kur kjo po e shuguronte si anëtar të ri të Vetëvendosjes në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Po ta lexojmë si për kuriozitet njoftimin e atëditshëm, të shkruar nga ndonjëri prej kalemxhive zyrtarë të Presidences, ceremonia kaloi si mos më mirë kur Alban Krasniqi u betua me dorën e djathtë ngritur se do t’i kryente detyrat “në mënyrë të ndershme, besnike, të paanshme, profesionale dhe të ndërgjegjshme”.

Në imazhbërjen false për të vetët, VV-ja qysh më 2017 e trumpetonte malishevasin si qen besnik stani që leh vetëm kur duhet të lehet për vathën: “Pas zgjedhjeve parlamentare të fundvitit 2010, Albani është angazhuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve si anëtar i saj, i nominuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, ku për kohën sa ka qëndruar në këtë pozitë, ka qenë i zëshëm në denoncimin e keqmenaxhimit prej këtij institucioni, dhe ka ndikuar dukshëm në ngritjen e përgjegjshmërisë së KQZ-së, në raport me funksionet e saj dhe transparencës ndaj publikut”
Në mungesë të çfarëdo suksesi tjetër në ekonomi e shtetndërtim, krenaria kallpe në Kosovë ka qenë gjithnjë krekosja për një sistem të vajosur demokratik që i linte pas të gjithë të tjerët në rajon – me demek, një Kosovë që kalëronte e para në Ballkan për nga virtytet e saj demokratike. Hahaha!
Dita kur lindi KQZ-ja
Për pesë vite e fiu, ato institucione që ishin njëfarë dorëzani për integritet të ecurive demokratike u korruptuan pakthyeshëm.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, bie llafi.
Një çerek shekulli më parë, më 18 prill 2000 kur iu pre kërthiza nga UNMIK-u, KQZ-ja kishte qenë një nga gëzimet e para të pasluftës njësoj si lindja e fëmiut të parë në vatër.
“The Central Election Commission shall be independent and impartial”, shkruhej në rregulloren 2000/21.
Për pesë vite kur populistët nga një parti me 51% u katandisën në një regjim malicioz, Komisioni në fjalë nuk mbeti as i pavarur dhe as i paanshëm.
Ai u bë institucioni rrokaçë në duart e VV-së dhe hilet, dallaveret e malverizimet e saj kalojnë me lehtësi më të madhe sesa që do kalonin nëpër filtrat e brendshëm partiakë.
Nga adashët në rajon, vetëm KQZ-ja në Kosovë është një drama queen për skandale, poterë e faqja e zezë.
Një firman fatkeq
Në shkurt 2021, kur presidentja Vjosa Osmani me diktatin e VV-së e shkarkoi kryetaren e asohershme Valdete Daka, firmani presidencial e arsyetonte se ajo e paskësh cënuar “pavarësinë dhe integritetin e KQZ-së” (sic!).
“Kryesuesja në shumë raste nuk ka arritur të jetë forcë e pavarur ndaj polarizimeve politike, kështu që duke pamundësuar balancin e nevojshëm në këtë institucion”, lexohej në firmanin e presidentes.
Ironia e firmanit ishte se vetë KQZ-ja u çorodit në një palo institucion që nuk shëmbëllen as pavarësi e as nuk e imunizon veten nga jargavitjet polarizuese.

Kjo hakmarrje e pushtetit të ri populist ishte, si të thuash, testi i parë i një psikopatie të organizuar për të parë kufijtë e reagimeve nëse bëhen veprime të tilla.
Asobote pati vetëm një reagim të vakët nga shefi i Zyrës së BE-së, Tomas Szunyog: “Është e rëndësishme që të gjitha procedurat të jenë në përputhje me ligjet e Kosovës dhe që pavarësia e KQZ-së të ruhet…”
Kaq!
Për një sy të jashtëm, KQZ-ja mbase kurrë nuk është bërë helaq sa për të shkelur tamam-tamam procedura.
Zaten, pyetja e domosdoshme që nxjerr krye është se çfarë ndodh kur vullnetet e liga politike përbirohen e shtyhen përpara me një transparencë pothuajse të përsosur sa për të mos bërë as lajthimin më të vogël ligjor.
Kjo është çështja!
Grahi Carallukçe…
Kur dy aparatçikët e VV-së, Alban Krasniqi e Sami Kurteshi, bëjnë skena prestigjatorësh karshi Listës Serbe, projektori i vëmendjes e huq pjesën më të dhimbshme, atë që në fakt përbën epitafin e vdekjes së një institucioni dikur të respektuar.
Nga ç’thonë brenda-për-brenda, dyshja e VV-së bën zullum psiqik për krejt stafin e KQZ-së.
Ka poterë për gjithçka, fyerje, prepotencë verbale, arrogancë e toksicitet.
Me atitudën e një superioriteti të rremë moral, Krasniqi, veçmas, është ai që bën trysni ndaj secilit.

Harbutëria e tillë tashmë është ulur në fron njësoj siç ndodh me majmunët në një xhungël të çhierarkizuar.
Fatmjerisht, anëtarët nga partitë e tjera nuk kanë qenë ledhi ku Krasniqët e Kurteshët do të frenoheshin e do të përfundonin si aberracionet e vetme.
Anëtarët nga partitë e tjera duket se janë viktima të gaslight-it të VV-së sa kundërvëniet edhe ashtu të qullta i kanë zëvendësuar me tulatje e konformizëm poshtërues.
Kjo ka prodhuar një KQZ që po i trash dosjen antidemokratike vendit të vet duke e krisur përgjithmonë imazhin e dikurshëm si një demokraci që përpiqej të ishte serioze.
KQZ-ja na u bë ‘pisarnicë’ e VV-së
Kur KQZ-ja e diktuar nga VV-ja e lëçit Listën Serbe, anëtarët e tjerë bëhen marrëzisht bashkëfajtorë në një lojë që as nuk e kanë ideuar e as nuk e kanë zhdrivilluar.
Abstenimi, pra mungesa nëpër mbledhje ku VV-ja i shtyn maskarallëqet e veta, nuk është alibi.
Ata po i bëjnë vetes emër si njerëz të pakëllqe që nuk bëzanë kur Kosova vetëvritej në duart e shkatërruesve që pozonin qesharakisht si sovranë.
KQZ-ja e albinkurtizuar e ka trashur një dosje minusash e çalimesh plotësisht të shmangshme.

Kështu, raporti përfundimtar i misionit vëzhgues të OSBE-së për zgjedhjet e sivjetme më 9 shkurt vuri në spikamë mangësi të numërta për administrimin e zgjedhjeve, të tilla si probleme organizimi të brendshëm, ashtu sikurse edhe qasje të paktë në informacione mbi rezultatet e zgjedhjeve.
Pas mbylljes së vendvotimeve, në kohën kur filloi ethja publike për rezultate, KQZ-ja u kthye në dramë nacionale: webfaqja e saj shkoi për lesh dhe filluan problemet me software-in për numërimin e votave, gjë që bëri që rezultatet të publikoheshin vetëm të nesërmen në mëngjes.
Çudat nuk u ndalën me kaq se, sebep rënies së sistemit software dhe platformës IT për skanimin dhe sistemin tabular të rezultateve, KQZ-ja urdhëroi që numërimi të bëhej me dorë që në prapakthim i bëri zgjedhjet e sivjetme më të avashtat në historinë e pasluftës.
“Interesat e partisë mbi Kosovën”
Tash një vit, VV-ja i përsëriti marifetet e njejta në prag të zgjedhjeve kundrejt Listës Serbe.
Më 23 dhjetor 2024, në vigjilje të zgjedhjeve të 9 shkurtit, KQZ-ja nuk e certifikoi pjesëmarrjen e kësaj partie, por ky vendim u hodh poshtë nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Në fundgushtin e sivjetmë, në vigjilje të zgjedhjeve lokale, KQZ-ja nuk e certifikoi pjesëmarrjen e Listës Serbe, vendim që do të pësonte fatin e njejtë në duart e PZAP-it.
E njejta mesele doli edhe edhe me vendimin e ri të KQZ-së që sërish u nulifikua nga i njejti Panel.

Pavarësisht se vendimet e tilla u prapësuan brenda ditësh, VV-ja e quante pazar të mirë efektin populist të atypëratyshëm dhe nuk i jepte pesë aspra pse krejt ambasadat perëndimore, si koncert, reaguan kundër ndërmarrjeve të tilla.
Kjo mendjengushtësi po e shkërmoq copë-copë atë pak besueshmëri të mbetur, veçmas kur politikat e brendshme, sipas OSBE-së, vijojnë të “nga interesat e partisë më shumë sesa nga kriteret ligjore dhe principet demokratike”.
Përfaqësuesit e VV-së që kujtohen për të bërë filma me Listën Serbe një muaj para zgjedhjeve, të shumtën e herave kishin votuar që edhe kësaj partie t’i ndaheshin mjetet Fondi për Mbështetjen e Subjekteve Politike, ku së paku për 2023-n i ishin dhënë 300 mijë euro. /Nacionale/










