Kroos, i bindur: Real Madridi i ka lojtarët e duhur për të fituar gjithçka

Toni Kroos u shfaq sërish publikisht një javë pasi mori “Kryqin e Kalorësit të Urdhrit të Meritës” të Gjermanisë. Në akademinë e tij në Boadilla, ku prezantoi një aleancë të re me “Allianz”, ai u pyet për krahasimet e vazhdueshme me mesfushën e dikurshme të Real Madridit. Kroos ishte i qartë: “Nuk ndihmon të flasim gjithmonë për ata që ishin më parë… Nuk kam nevojë të më thonë se më mungojnë”.

Pra, sipas tij fokusi duhet të jetë tek ekipi aktual. Ai kujtoi se u largua “me buzëqeshje dhe me një titull të mirë”, duke shtuar se Real Madridit i duhet të fitojë me lojtarët që ka tani: “Duhet të gjejë mënyrën me lloje të tjerë lojtarësh”. Për partneritetin legjendar me Casemiron dhe Modric, tha: “Janë dy gjenerata të ndryshme…, është një mënyrë tjetër loje, jo më e mirë apo më e keqe”.

Për Vinicius u shpreh: “Ka qenë kënaqësi ta shoh si është zhvilluar… Ndonjëherë del nga shinat, por si person është i mrekullueshëm. Ka presion të madh nga rivalët dhe tifozët kundërshtarë. Nuk shoh nervozizëm te Real Madridi, besoj se ka lojtarët e duhur për të fituar gjithçka”.

Si trajner i fëmijëve, Kroos theksoi se më e rëndësishme është liria e tyre: “Fëmijët luajnë më mirë kur janë të çliruar, pa frikë nga gabimet”. Ai nuk mendon të bëjë trajnerin profesionist: “Ndihem i lumtur aty ku jam”.

The post Kroos, i bindur: Real Madridi i ka lojtarët e duhur për të fituar gjithçka appeared first on Telesport.