KFOR-i forcon aktivitetet në mbështetje të sigurisë në mbarë Kosovën

Misioni i udhëhequr nga NATO, KFOR, ka shtuar praninë dhe patrullimet në mbarë Kosovën, si pjesë e aktiviteteve të rregullta stërvitore.

Një zëdhënës i KFOR-it ka thënë se kjo demonstron gatishmërinë e kësaj force për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi të rëndësishëm të sigurisë që mund të ndikojë në sigurinë në Kosovë dhe në stabilitetin rajonal.

“Misioni ynë vazhdon të integrojë aktivitetet e tij me përpjekjet e komunitetit të gjerë ndërkombëtar, përfshirë edhe mbështetjen për dialogun e ndërmjetësuar nga BE ndërmjet” Kosovës dhe Serbisë, tha ky zëdhënës i KFOR-it.

Ai shtoi se Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, është në kontakt të rregullt me të gjithë homologët e tij kryesorë, përfshirë përfaqësues të organizatave të sigurisë së Kosovës, shefin e EULEX-it dhe shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Serbisë. /Klankosova.tv