Greva e trafikut që ua rrezikoi vendin e punës punëtorëve

Prishtina mbeti pa autobusë publik për herë të rrallë, duke krijuar vështirësi të mëdha për qytetarët që varen nga ky shërbim për të shkuar në punë. Mungesa e transportit publik shkaktoi vonesa dhe rritje të kostos së udhëtimit, sidomos për ata që u detyruan të përdorin taksi private.

Një punëtor që e intervistoi Kiks Kosova të hënën, tha se këto ditë pa autobusë kanë qenë shumë sfiduese, pasi udhëtimi drejt punës është bërë i vështirë dhe i kushtueshëm.

Autobusët u rikthyen një ditë më pas, pas përfundimit të grevës së punonjësve të Trafikut Urban, të cilët protestuan për shkak të mungesës së pagave.

Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, thotë se situata në transportin publik po përkeqësohet vazhdimisht. Sipas tij, mos-pagesa për muaj të tërë ka degraduar pozitën e punëtorëve dhe i ka vënë ata në vështirësi të mëdha, duke i detyruar shumë prej tyre të braktisin vendin.

Azemi u bën thirrje bizneseve që të kenë mirëkuptim për vonesat e punëtorëve, duke theksuar se ata janë viktima të kësaj gjendjeje të rënduar, që ai e krahason me situatat e krizave të rënda.