AVONET: Dyshime për falsifikim në tenderët e dy spitaleve

Rrjeti i Organizatave Joqeveritare AVONET, ka njoftuar se ka dorëzuar një kërkesë zyrtare në Prokurorinë e Shtetit për nisjen e hetimeve, pasi ka identifikuar dyshime serioze për përdorim të dokumenteve të falsifikuara në dy procedura të prokurimit publik, të zhvilluara në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës dhe atë të Gjilanit.

Sipas organizatës, gjatë monitorimit të këtyre tenderëve janë gjetur në dosjet e ofertimit të një operatori ekonomik, një kontratë pune dhe një diplomë, për të cilat pretendohen elemente të falsifikimit. Dokumentet janë paraqitur në të dy procedurat pa dijeninë e personit emri i të cilit figuron aty.

Organizata ka theksuar se dyshimet lidhen me veprat penale Deklarim i rremë nën betim, Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik, Keqpërdorim i besimit dhe Falsifikim i dokumenteve, të parashikuara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Përveç kërkesës për hetime, AVONET u ka kërkuar dy spitaleve që të ndërmarrin hapat e nevojshëm ligjorë për inicimin e procedurave të diskualifikimit të operatorit ekonomik pranë Organit Shqyrtues të Prokurimit, në përputhje me nenet 99 dhe 65 të Ligjit për Prokurimin Publik.

Organizata ka ritheksuar përkushtimin e saj për mbrojtjen e integritetit të prokurimit publik dhe u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse të veprojnë me transparencë dhe në përputhje me ligjin, ndërsa ka paralajmëruar se do të vazhdojë monitorimin e rasteve që cenojnë interesin publik dhe besimin e qytetarëve.