Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë: Qindra biznese në krizë për shkak të bllokadës së Ligjit për Pronën Publike

Zyrtarë të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës (DHTIK) kanë ngritur shqetësime serioze lidhur me situatën e vështirë në të cilën po kalojnë shumë biznese në vend, si pasojë e bllokadës së krijuar nga Ligji për Pronën Publike.

Në punëtorinë njëditore të organizuar për mbështetjen e Zyrës për Administrimin e Pronës Publike në zbatimin e këtij ligji, drejtori i DHTIK-së, Kushtrim Ahmeti, anëtari i Bordit Idriz Zejnullahu dhe konsulenti prof. Mazllum Baraliu kanë evidentuar një numër të madh shkeljesh ligjore dhe dëmesh ekonomike që po i shkaktohen bizneseve.

Drejtori Ahmeti theksoi se bllokada nuk ka prekur vetëm bizneset vendore, por edhe investitorët e jashtëm, duke rrezikuar që Kosova të përballet me procese arbitrazhi ndërkombëtar, si dhe të krijojë një imazh tejet negativ ndaj investimeve të huaja.

Sipas DHTIK-së, kriza institucionale që ka zgjatur për muaj të tërë ka përkeqësuar edhe më shumë gjendjen, duke ulur kapacitetet e punës të bizneseve, duke rrezikuar vendet e punës dhe duke ndikuar që të rritet importi i zhavorrit nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Gjithashtu, shumë kompani nuk kanë arritur të realizojnë investimet dhe bashkë-investimet me partnerë të huaj për ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike, të cilat vlerësohen si tejet të domosdoshme për gjendjen aktuale të sektorit të energjisë në vend.

DHTIK kërkon zgjidhje urgjente nga institucionet për të shmangur një krizë edhe më të madhe ekonomike./Lajmi.net/