Miratohet ligji i ri – Gjermania synon 260 mijë ushtarë aktivë dhe 200 mijë rezervistë

Parlamenti gjerman miratoi të premten një ligj të ri për shërbimin ushtarak që synon të rrisë numrin e ushtarëve në Bundeswehr dhe të përmbushë objektivat e NATO-s, ndërsa tensionet me Rusinë nxisin thirrjet për kapacitete më të forta mbrojtëse në gjithë Evropën.

Ligji, i cili u mbështet pas muajsh të debateve të ashpra, vendos një sistem të dyfishtë: shërbimi vullnetar, më tërheqës financiarisht, synon të tërheqë rekrutë të rinj, por nëse numri i të regjistruarve nuk rezulton i mjaftueshëm, ligjvënësit mund të aktivizojnë thirrjen e detyrueshme bazuar në nevoja, raporton dw.

Kjo do të kërkonte një votim të veçantë të Bundestagut dhe mund të përfshinte përzgjedhje të rastësishme nëse ka më shumë kandidatë të përshtatshëm sesa është e nevojshme.

Ministria e Mbrojtjes do t’i raportojë parlamentit për numrin e rekrutëve çdo gjashtë muaj.

Ligji vendos objektiva ambiciozë për zgjerimin e Bundeswehrit, duke synuar deri në 260 mijë ushtarë aktivë nga 183 mijë sa janë aktualisht dhe të paktën 200 mijë rezervistë deri në vitin 2035.

Në një veprim të paprecedentë që prej pezullimit të shërbimit të detyrueshëm në vitin 2011, të gjithë meshkujt e lindur pas 1 janarit 2008 do t’i nënshtrohen një vlerësimi mjekësor, gradualisht, sipas kapaciteteve.

Si burrat ashtu edhe gratë mbi 18 vjeç do të marrin një kërkesë për të shprehur gatishmërinë për shërbim, megjithëse vetëm burrat janë të detyruar të përgjigjen.

Lëvizja e Gjermanisë pason një trend më të gjerë evropian, ndërsa Franca, Italia dhe Belgjika po zgjerojnë shërbimin vullnetar, dhe shtetet nordike e baltike po forcojnë shërbimin e detyrueshëm ushtarak si përgjigje ndaj agresionit rus.