Komuna e Gjilanit shpërblen me kontratë konsorciumin e kompanive të afërta me VV-në

Komuna e Gjilanit ka shpërblyer me kontratë konsorciumin e përbërë nga kompanitë AVAG Group, EING COM dhe EL-BAU, për tenderin e publikur si “Rrënimi i objekteve”, me një vlerë të përgjithshme të ofruar prej 38.71 euro, shkruan Demokracia.com.

Vlera e parashikuar e kontratës për tre vite është 250 mijë euro, ndërsa grupi fitues ka ofertuar 38 euro – çmim për njësi. Kjo do të thotë se kontrata do të realizohet me porosi, dhe shuma prej 250 mijë eurosh do të shfrytëzohet gradualisht, sipas nevojave.

Fituesit janë të njëjtit emra që vazhdimisht marrin kontrata shumë milionëshe në Gjilan, komunë e udhëhequr nga Vetëvendosja.

Të njëjtat kompani, i njëjti rreth politik

E njëjta dyshe kompanish – EL-BAU, EING COM dhe partnerët e tyre,  vetëm pak muaj më parë kanë përfituar miliona euro tender nga Komuna Gjilanit dhe e Podujevës.

Pronarët e grupit të kompanive “El Bau” dhe “Eing Com” kanë shfaqur afërsi me partinë e Albin Kurtit. Të dyja marrin shumë tenderë në komunat që udhëhiqen nga Vetëvendosje në Gjilan e Podujevë.

Kompania EING COM SH.P.K. është në pronësi të Eljesah Podvorica.

Pronari i kompanisë, EING COM SH.P.K, Eljesah Podvorica, jo rrallëherë është parë në shoqërinë e njerëzve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Në vitin 2021, deputeti i kësaj partie Sali Zyba dhe pronari Eljesah Podvorica ishin së bashku në një vizitë në Therandë.

Dyshja shihen në një fotografi nën shoqërinë edhe të disa personave për rreth.

Podvorica, gjithashtu në vitin 2019 ishte parë në shoqërinë e deputetit tjetër të Vetëvendosjes, Nijazi Isakut.

“Në kafe me tre luftëtarët e lirisë, UÇK-së”, shkruhej në postim.

Në vitin e kaluar kompania “El Bau” dhe “Eing Com” kanë themelor një kompani të përbashkët  të quajtur “EING COM & EL BAU SH.P.K”.

“El Bau” është kontraktor i rregullt në Gjilan.

Demokracia.com kishte raportuar se Grupi i kompanive “Demiri Gartenbau”; “El Bau” shpk; “Bujar Shabani Bi”; “Kosova Asfalt”; “Teuta- M” shpk, me ofertë 14,997.804.00 euro, ishte rekomanduar për kontratë për “Renovimin e Stadiumit të Qytetit të Gjilanit”. 

Por tenderi ishte anuluar nga OSHP.

Pronar dhe menaxher në kompaninë “Demiri Gartenbau” është Qëndrim Demiri. Demokracia.com kishte zbuluar se Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Gjilanit, Albana Demiri, e ka djalë të axhës Qëndrimin. Konkretisht, ata janë fëmijët e dy vëllezërve.

Kompania “El Bau” shpk merr thuajse të gjithë tenderët në Komunën e Gjilanit. Pronarë në këtë kompani janë Suad e Fatlum Pireva. Këta dy e kanë nip pronarin e kompanisë “Demiri Gartenbau”, ndërsa Drejtoreshën e Arsimit e kanë mbesë. /Demokracia.com/