Vendi pa qeveri dhe zgjedhjet në prag – Ministria e Nagavcit jep kontratë mbi 100 mijë euro për udhëtime me avion

Ministria e Arsimit, e udhëhequr nga ministrja në detyrë Arbërie Nagavci, ka shpallur fituese të tenderit të fundit për udhëtime me avion kompaninë “AS TRAVEL CLUB” – të njëjtën kompani që vitet e fundit ka marrë pothuajse të gjitha kontratat e institucioneve shtetërore për bileta udhëtimi. Ndërkohë që vendi ende nuk ka një qeveri të re të formuar dhe zgjedhjet e parakohshme janë caktuar për 28 dhjetor, institucionet në detyrë po vazhdojnë të nënshkruajnë kontrata të mëdha financiare.

Ministria e Arsimit me datë 4 dhjetor 2025, ka nënshkruar tender për “Shërbime të transportit ajror për nevojat e MASHTI’t”.

Dy kompani kanë garuar për këtë tender: AS TRAVEL CLUB ‘SH.P.K me 117,003.00euro dhe Prime Tours & Travel SH.P.K, me 117,003.00 euro.

Ndërkohë, fituese është zgjedhur kompania AS TRAVEL CLUB ‘SH.P.K. Vlera e përgjithshme e këtij tenderi është 117,003.00 euro.

Marrëveshja do të mbulojë nevojat e udhëtimeve ajrore të zyrtarëve të ministrisë për një periudhë 3 vjecare.

Në vitet e fundit, ka pasur raportime lidhur me kompaninë “AS TRAVEL CLUB” SH.P.K. e cila po rezulton fituese e një numri të madh tenderësh publikë për shërbime të udhëtimit me avion, të shpallur nga institucionet qendrore në Kosovë, shkruan Insajderi.

Vetëm gjatë vitit 2024, Presidenca, Kuvendi dhe disa ministri kanë nënshkruar kontrata me këtë kompani me vlera që arrijnë qindra mijëra euro.

Kuvendi i Kosovës ka lidhur kontratë në vlerë prej rreth 294 mijë euro për 600 bileta avioni, ndërsa Presidenca ka dhënë një tender prej 50 mijë eurosh përmes procedurës së negocimit me vetëm një ofertues.

Ministria e Punëve të Jashtme gjithashtu ka nënshkruar kontrata të mëdha me “AS Travel”, mes tyre një tender prej 684 mijë eurosh në vitin 2024 dhe një tjetër prej 741 mijë eurosh në vitin 2023.

Kontrata të reja me të njëjtën kompani janë dhënë edhe nga Ministria e Zhvillimit Rajonal, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Industrisë, Ministria e Kulturës dhe Ministria e Punëve të Brendshme.