Salla e vallëzimit që kushton 300 milionë dollarë – Trump shkarkon arkitektin dhe zgjedh një tjetër

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka zgjedhur një arkitekt të ri që do të mbikëqyrë projektin e ndërtimit të sallës së ballos në Shtëpinë e Bardhë.

Ndryshimi vjen pasi Washington Post raportoi se lideri amerikan dhe arkitekti i mëparshëm nuk ishin pajtuar rreth madhësisë dhe përmasave të zgjerimit, për çka presidenti amerikan vendosi të ndërpresë bashkëpunimin me të.

Arkitekti Shalom Baranes do të marrë drejtimin e projektit nga James McCrery, i cili do të mbetet si këshilltar. Gazeta raportoi se McCrery kishte këshilluar përmbajtje në mënyrë që salla e re e vallëzimit të mos e errësonte strukturën ekzistuese të Shtëpisë së Bardhë.

“Ndërsa fillojmë kalimin në fazën tjetër të zhvillimit të sallës së vallëzimit të Shtëpisë së Bardhë, Administrata me entuziazëm njofton se talenti i jashtëzakonshëm Shalom Baranes i është bashkuar ekipit të ekspertëve për të realizuar vizionin e presidentit Trump për ndërtimin e asaj që do të jetë zgjerimi më i madh i Shtëpisë së Bardhë që nga Zyra Ovale,” tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Davis Ingle.

Ai shtoi se përvoja e tij në këtë fushë do të ketë rëndësi të paçmuar.

Megjithëse Trump ka treguar skicat e projektit, përmasat e sakta të sallës së ballos mbeten të paqarta. Ajo është zgjeruar si në madhësi ashtu edhe në kosto. Trump tha në shtator për NBC News se salla do të mund të presë deri në 900 persona.

Fillimisht ishte vlerësuar se ndërtimi i sallës së re të vallëzimit do të kushtonte 200 milionë dollarë, por në muajin tetor Trump tha se kostoja do të ishte rreth 300 milionë dollarë. Ai deklaroi se e gjithë shuma do të paguhej nga donatorë, përfshirë edhe vetë atë.

“Kjo ndoshta do të jetë salla më e mirë e vallëzimit që është ndërtuar ndonjëherë, dhe ne po e realizojmë atë pa asnjë kosto për vendin”, kishte thënë Trump.