Pavarësisht retorikës së qeverisë Kurti për uljen e varësisë tregtare nga Serbia, të dhënat doganore tregojnë një dinamikë të kundërt.
Tashmë Dogana ka nxjerr të dhënat për importin dhe eksportin me vendet e CEFTA-s për 11 muajt, janar–nëntor, të cilat i ka parë Demokracia.com.
Kosova ka blerë mbi 184 milionë euro mallra nga Serbia në 11-mujorin e parë 2025, duke e tejkaluar dukshëm Shqipërinë, që shënon 155 milionë euro.
Vetëm në muajin nëntor, importet nga Serbia kanë arritur 18.2 milionë euro, duke i kaluar edhe ato nga Shqipëria (14.9 milionë €) dhe nga Maqedonia e Veriut (17 milionë €). Serbia për herë të parë del si furnizuesi kryesor rajonal i muajit, duke ngushtuar diferencën vjetore me Maqedoninë e Veriut, që aktualisht kryeson listën në total.
Ky dallim është veçanërisht i theksuar përballë deklarimeve politike se tregtia me Serbinë është në rënie, duke ekspozuar një kontrast midis retorikës shtetërore dhe realitetit ekonomik në terren.
Arsyet kryesore pse importet nga Serbia po rriten
Serbia ka kapacitete prodhuese më të mëdha në sektorët ku Kosova ka deficit strukturor- ushqimore, masive industriale, materiale ndërtimore. Kjo e bën tregun serb furnizues më të lirë dhe më të qëndrueshëm se tregjet alternative.
Po ashtu, bizneset e mëdha kosovare kanë rrjete të stabilizuara blerjesh në Serbi, të cilat nuk zëvendësohen lehtë.
Shqipëria, edhe pse partner politik i afërt, nuk ka industri të orientuar për furnizimin e tregut kosovar, sidomos në sektorin ushqimor bazë, kimik dhe ndërtimor.
Sa herë ka tension politik, bizneset kosovare orientohen te tregjet alternative, por në periudhë afatgjatë tregtia me Serbinë rikthehet, sepse CEFTA ulim tarifat, lehtëson procedurat dhe stabilizon flukset mallrash.
Pra, ekonomia e Kosovës funksionon mbi bazë interesi tregtar, jo narrativë politike. Bizneset kosovare vazhdojnë të importojnë atje ku është më lirë dhe më e qëndrueshme, dhe kjo nga Serbia.
Maqedonia e Veriut ruan primatin vjetor të importeve në CEFTA, por Serbia po rikthehet fuqishëm muaj pas muaji, duke sinjalizuar se varësia tregtare nga Serbia nuk po ulet, por mund të rritet. /Demokracia.com/














