“I pari kujtim imi lidhet me vendin tim, Pieris, ku jetonim 6 veta me rrogën e babait tim, mësues filloreje. Ishte periudha pas Luftës së Dytë Botërore, nuk ishin vite të bollshme, jetonim në një shtëpi popullore. Motra ime flinte te tezja, sepse nuk kishte vend për të gjithë. Si fëmijë nuk kisha shumë argëtim, kishim vetëm fushën e futbollit, pastaj, gjatë verës, noti në Isonzo, me kërcime nga ura mbi hekurudhë. Babai im, Guerrino, kishte lindur në Hungari sepse gjyshërit u transferuan atje më 1915. Si kapiten artilerie nuk pranoi Republikën e Salò, kështu që u burgos. Ai përjetoi tmerrin e 6 kampeve përqendrimi.
Pakot e ushqimit që i dërgonte nëna ime kurrë nuk mbërrinin në destinacion. Ai mbijetoi sepse në periudhën e fundit ushqehej vetëm me patate. Isha 16 vjeç dhe prej disa muajsh isha transferuar në Ferrara për të luajtur te Spal. Njëkohësisht studioja në institut për gjeometër dhe për të komunikuar duhej të dërgoja dy letra në javë në shtëpi. Po kaloja një moment zhgënjimi dhe duke ulur korrespondencën, babai e kuptoi. Një ditë dolëm nga shkolla dhe e gjeta përpara.
Mendova ‘çfarë problemi ka’, por më tha vetëm një fjalë, ‘provo’. Ajo këshillë më ka udhëhequr gjatë gjithë jetës, për ta përballuar çdo sfidë me guxim. Në Ferrara takova gruan time, Laura. Të dy udhëtonim me të njëjtin autobus për në shkollë, ajo studionte për mësuese. U martuam më 1969 dhe nuk u ndamë më. Vetëm kur kam drejtuar Jiangsu nuk erdhi me mua. Bisedonim çdo natë në mesnatën kineze, kur në Itali ishte ora 6 pasdite. Përshëndeteshim me dhimbje, pas më pak se një viti dhashë dorëheqjen.

Goli në ‘Wembley’ është pika më e lartë e karrierës time si lojtar. Ai gol i vitit 1973, që solli fitoren e parë të Italisë në Angli, pati edhe një kuptim shoqëror. Ua dedikova 40 mijë kamarierëve që ishin në stadium, siç ishin quajtur bashkëkombësit tanë. Në 1976, kur mbërrita te Milani dhe kërkoja shtëpi, Paolo Berlusconi më tregoi banesat në Milano 2. Ishin të bukura, por larg Milanellos. Kështu mora shtëpi në Legnano, që për 24 vite ishte baza ime.
Marrëdhënia me Silvio Berlusconi ka qenë gjithmonë e shkëlqyer, që nga koha kur si president i ri i Milanit më bëri asistent të Liedholm dhe më pas zëvendësuesin e tij në 1987 për 6 ndeshjet e fundit të kampionatit. Më bëri të kryej teste psikologjike me konsulentë. Rezultatet i nxori kur, pas Sacchi, ma besoi stolin e ekipit të parë. Kam njohur dy figura të mëdha si Berlusconi dhe Gianni Agnelli; avokati vinte, bënte batuta të shpejta dhe na përshëndeste. Ishte i rrethuar nga një aurë superioriteti.
Berlusconi ishte karizmatik dhe i qasshëm në të njëjtën kohë. Pas sukseseve me Milanin, më thirri presidenti i Real Madridit, Sanz, që më bëri një kontratë 3-vjeçare. Reali ishte një përvojë unike, nuhat ajrin dhe kupton se je tek ekipi më i mirë në botë. Pas fitimit të La Liga-s, erdhi telefonata e Berlusconit. Me keqardhje i thashë Sanz-it se ë duhet ta lë, atij i detyrohem gjithçka. Në Romë ishin 5 vite fantastike, edhe pse jetuar nga një këndvështrim i veçantë.
Duke kërkuar vendin më të mirë, qëndrova në apartamentin në Mostacciano, me pamje mbi lidhjen rrethore. Festimet i bënin vetëm tifozët, unë isha mësuar, në klubet e tjera, me festa të çmendura deri në 5 të mëngjesit, me familjet. E pabesueshme ishte që nuk u organizua asnjë darkë në nivel klubesh. Ato mbrëmje shkoja në restorant për vete. Kur u bë evenimenti në ‘Circo Massimo’, tashmë kisha blerë biletat për një nga udhëtimet e mia aventuroze dhe, i ofenduar, u largova.

Në Londër isha shumë mirë, jetoja në Knightsbridge, vizitoja muzetë më të mirë. Pas Botërorit në Afrikën e Jugut, nga i cili u eliminuam për golin jo-gol të Lampard ndaj Gjermanisë, ishim tashmë të kualifikuar për Europianin… Fatkeqësisht nuk vazhdova, por përplasja me federatën mbi heqjen e shiritit nga John Terry ishte e pakapërcyeshme.
Pas akuzave ndaj Terry për fyerje me përmbajtje racore ndaj Anton Ferdinand, federata më njoftoi se kishte vendosur t’i hiqte shiritin e kapitenit. Unë isha kundër sepse zgjedhja bëhej para gjykimit të lojtarit dhe përbënte ndërhyrje në kompetencën time. Për informim, më vonë Terry u shpall i pafajshëm.
Sherri më i ashpër i karrierës sime ishte me Gullit, pothuajse u rrahëm, nuk mbaj mend nëse për një vonesë. Jam strikt në kërkesën për respektimin e rregullave; lojtarëve të mi iu thoja t’i trajtonin shërbëtorët ashtu si do të donin që prindërit e tyre të trajtoheshin nga të tjerët”.
— FABIO CAPELLO
The post Karriera e Capellos, hap pas hapi: Sherrin më të ashpër e kam pasur me Gullit, pothuajse u rrahëm appeared first on Telesport.











