Ministria e Luftës e Shteteve të Bashkuara ka publikuar një video të re në të cilën mund të shihet fundosja e një tjetër anijeje në zonën e Karaibeve, e cila thuhet se po transportonte narkotikë drejt territorit të Shteteve të Bashkuara.
Pamjet janë regjistruar fillimisht nga Komanda Jugore e ushtrisë amerikane që vepron në këtë rajon dhe ata deklaruan se sulmi është kryer me urdhër të ministrit të luftës, Pete Hegseth.
“Më 4 dhjetor, me urdhër të Pete Hegseth, Grupi i Përbashkët Operativ kreu një sulm vdekjeprurës kinetik ndaj një mjeti lundrues në ujërat ndërkombëtare, i cili kontrollohej nga një organizatë e shpallur terroriste. Shërbimet e inteligjencës kanë konfirmuar se mjeti lundrues po transportonte narkotikë të paligjshëm dhe se ndodhej në tranzit në një nga rrugët e njohura të trafikut të drogës në Paqësorin lindor. Katër narkoterroristë në bord u vranë”, thuhej në njoftim.
Fundosjen e anijes e komentoi edhe Hegseth, i cili në rrjetin social X iu përgjigj komentit të konservatorit amerikan dhe zëdhënësit të organizatës Turning Point, Andrew Kolvet.
Ky i fundit kishte thënë se çdo sulm ndaj Pete Hegseth nga ana e Partisë Demokratike i shton atij edhe më shumë dëshirën për të fundosur një tjetër anije që transporton narkotikë nga Venezuela drejt SHBA-së.
“Dëshira jote është urdhri ynë, Andrew. Sapo kemi fundosur edhe një anije me narkotikë,” i ka porositur ministri amerikan i luftës. /











