Policia e Krimeve Ekonomike nis hetimet për dy projektet e dyshuara për keqpërdorim në Fushë Kosovë pas raportimeve të Demokracia.com dhe kallëzimit penal të auditorit

Policia e Krimeve Ekonomike nis hetimet për dy projektet e dyshuara për keqpërdorim në Fushë Kosovë pas raportimeve të Demokracia.com dhe kallëzimit penal të auditorit.

Dy projekte publike të Komunës së Fushë Kosovës, të cilat u ekspozuan nga Demokracia.com si raste me shkelje serioze teknike, financiare dhe procedurale, tashmë kanë kaluar në fazën e trajtimit institucional pas verifikimit të gjetjeve. Mediumi kishte raportuar se në ndërtimin e shtegut rekreativ tek pishat në Sllatinë të Vogël dhe projektin e kanalizimit në Sllatinë të Madhe kishte elemente të dyshimit për keqpërdorim fondesh, punime të papërfunduara, mangësi në projektim dhe pranime të punëve që nuk ekzistonin në terren.

Hetimet janë iniciuar pasi denoncimit që ka bërë Auditori i Brendshëm i Komunash së Fushë Kosovës, i cili ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Kosovës, duke konfirmuar parregullsitë që mediumi më herët i kishte dokumentuar përmes analizave, matjeve në terren dhe burimeve institucionale.

Burime brenda Policisë e kanë konfirmuar se dosjet hetimore po përfshijnë dy projekte konkrete: ndërtimin e shtegut rekreativ tek pishat në Sllatinë të Vogël, me vlerë 242 mijë euro, dhe projektin e kanalizimit në Sllatinë të Madhe, me vlerë 472 mijë euro, të cilat dyshohen të kenë dëmtuar buxhetin publik përmes punëve të paekzekutuara, pagesave të pajustifikuara dhe keqmenaxhimit kontraktual.

“Tashmë kanë filluar intervistohet e palëve për projektet në fjalë”, ka konfirmuar një burim për Demokracia.com.

Raportimet e Demokracia.com nxitën reagimin institucional

Raportimet e para publike për projektin e shtegut rekreativ në Sllatinë të Vogël u publikuan nga Demokracia.com, i cili përmes matjeve në terren dhe analizës së paramasave të kontraktuara dokumentoi mungesën e shtresave të ndërtimit, kursimin e materialeve, fryrjen e sasive të punuara në letra dhe pranimin e punëve të paekzekutuara nga ana e mbikëqyrësve komunalë. Mediumi zbuloi se vlera e punëve të munguar kalonte 130 mijë euro, shumë që i ishte paguar kontraktorit pa ekzistuar në terren.

Pas publikimit të këtyre gjetjeve, Auditori i Brendshëm i Komunës së Fushë Kosovës, Shyqeri Krasniqi, konfirmoi publikisht se projekti ishte përcjellë më pas për hetim në Prokurorinë Speciale, duke konstatuar po ashtu se “projekti kishte mangësi serioze që mund të përbëjnë vepër penale”.

Edhe projekti i kanalizimit u ekspozua nga Demokracia.com

Pak ditë më pas, Demokracia.com publikoi një hulumtim të dytë mbi projektin e kanalizimit në Sllatinë të Madhe, ku dokumentoi se punimet ishin braktisur pas vetëm 190 metrash, kontrata nuk ishte shkëputur, siguracioni bankar nuk ishte konfiskuar dhe ujërat fekale përfundonin drejtpërdrejt në lumin Drenica, një shkelje me rrezik të lartë mjedisor.

Investigimi dokumentoi mospërputhje të mëdha në paramasa, fryrje të çmimeve, mungesë të projektit kryesor dhe përdorim të pajustifikuar të gypave të diametrit të madh, të cilët nuk kishin arsyetim teknik për një zonë me kapacitet të vogël fekal.

Këto gjetje, të konfirmuara pastaj edhe nga burime brenda komunës, ngritën dyshime të forta për keqpërdorim të fondeve publike dhe shkelje të procedurave të prokurimit.

Auditori konfirmoi dhe referoi rastet në Prokurori, Policisë i hapet pista e hetimeve

Burime të Demokracia.com brenda institucioneve të hetuesisë thonë se raportimet mediale kanë shërbyer si indicie fillestare, ndërsa dosjet zyrtare janë plotësuar nga Auditori, i cili në të dy rastet ka gjetur elemente të veprës penale dhe ka dorëzuar kallëzim penal.

Kjo ka çuar Policinë e Krimeve Ekonomike të hapë veprimet hetimore, duke kërkuar dokumentacionin e kontratave, procesverbalet e pranimeve të punimeve, korrespondencën e brendshme, faturimet, raportet e mbikëqyrësve dhe testimet teknike të kërkuara.

Hetimet po udhëhiqen në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale, ndërsa burimet konfirmojnë se pritet të intervistohen zyrtarët komunalë, menaxherët e projekteve, mbikëqyrësit teknikë, zyrtarë të prokurimit, përfaqësues të kompanive kontraktuese dhe dëshmitarët teknikë që kanë ngritur shqetësimet e para.

Më poshtë mund të lexoni dy shkrimet e raportuara nga Demokracia.com:

Dyshime serioze mbi kontratën 242 mijë euro të Komunës së Fushë Kosovës, Auditori i Brendshëm e dërgon rastin në Prokurori

 

Fushë Kosova ndërton kanalizim që përfundon në lum. Punëkryesi braktis punimet pas 190 metrash, kontrata nuk shkëputet dhe siguracioni bankar nuk konfiskohet