Smajlaj: Gjuha e Kurteshit ndaj mediave, degradim i papranueshëm për një ish-Avokat të Popullit

Politologu Avdi Smajlaj ka reaguar ndaj deklaratave të përfaqësuesit të Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror Zgjedhor, Sami Kurteshi, të cilat ai i ka cilësuar si “të ulëta dhe degraduese” për mediat dhe Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës.

Në emisionin “Ditari” në Tëvë1, Smajlaj ka thënë se deklarata të tilla janë veçanërisht të papranueshme duke pasur parasysh se Kurteshi ka shërbyer më parë si Avokat i Popullit.

“Është një gjuhë e ultë, jo vetëm ndaj mediave, por edhe ndaj analistëve, duke i krahasuar me kafshë. Është e dhimbshme dhe e turpshme, sepse ai ka qenë Avokat i Popullit”, është shprehur Smajlaj, duke shtuar se në vendet demokratike kjo figurë është simbol i mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut.

Sipas tij, një ish-Avokat i Popullit duhet të ketë si objektiv kryesor mbrojtjen e mediave dhe jo sulmin ndaj tyre.

“Kurteshi ka qenë Avokat i Popullit dhe një figurë e tillë do të duhej të ishte shumë e respektuar. Mbrojtja e të drejtave dhe lirive të mediave duhet të ishte një nga vlerat e tij më të mëdha, pasi ky është një nga objektivat kryesorë të Institucionit të Avokatit të Popullit”, ka deklaruar Smajlaj.

Ai ka bërë thirrje që institucionet kompetente të trajtojnë këtë çështje, pasi siç tha, gjuha publike po degradon dita-ditës.

“Është e papranueshme dhe e vështirë të shpjegohet sesi dita-ditës po degradojmë, dhe po degradojnë edhe gjuha dhe diskursi. Unë shpresoj që institucionet përkatëse ta trajtojnë këtë çështje, pasi ajo ka rëndësi përtej faktit se vjen nga një përfaqësues i një partie politike në një institucion si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ),” ka përfunduar ai.

Ndryshe, Sami Kurteshi më 2 dhjetor gjatë një mbledhjeje të KQZ-së nuk lejoi gazetarët të afrohen pranë tryezës së Komisionit, duke i kërkuar që të qëndrojnë në atë që e quajti “këndi i mediave”.

Gjatë një diskutimi të nxehur, ai iu drejtua mediave si “mediat që po bëjnë shpifje shumë të mëdha” dhe përdori gjuhë të ashpër duke i akuzuar për shpifje dhe gënjeshtra.

Më pas, në një postim në Facebook, Kurteshi akuzoi publikisht AGK-në dhe disa media si “aleancë të grupeve kriminale” dhe i etiketoi madje si “vrasës me pagesë”.

Kjo sjellje ka nxitur reagime të menjëhershme nga Bashkimi Evropian, Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe organizata të tjera.

Zyra e BE-së në Prishtinë bëri thirrje për ndalimin e gjuhës së tillë, duke theksuar se liria e medias duhet të mbrohet në çdo shoqëri demokratike.

OSBE-ja e quajti sjelljen e Kurteshit të papranueshme dhe theksoi se liria e medias dhe diskursi publik i përgjegjshëm janë thelbësore për demokracinë e Kosovës.

Organizata shtoi se përfaqësuesit politikë në institucionet e pavarura duhet të ruajnë standardet më të larta të profesionalizmit dhe respektit.

Reagime erdhën edhe nga AGK-ja dhe Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Gazetarëve Evropianë, Ricardo Gutierrez.

Ai i bëri thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që të japë fund “fushatës së njollosjes ndaj gazetarëve” nga anëtarë të LVV-së, duke paralajmëruar se tolerimi i këtyre sulmeve minon besueshmërinë e medias dhe demokracinë.

Në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit për vitin 2025, Kosova renditet e 99-ta nga 180 vende