Një numër aeroplanësh luftarakë gjermanë Eurofighter Typhoon u nisën nga baza ajrore Nörvenich pranë Këlnit të enjten për në bazën ajrore polake në Malbork, në juglindje të Gdańsk, për të përforcuar krahun lindor të NATO-s.
Forcat Ajrore Gjermane thanë se ripozicionimi përfaqësonte një reagim ndaj shkeljeve të fundit ruse të hapësirës ajrore të NATO-s në rajonin e Baltikut, së bashku me inkursionet nga dronë kamikazë.
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, njoftoi këtë veprim në mesin e tetorit.
Dhe sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, vendosja është planifikuar të zgjasë deri në mars.
“Me këtë mision, trupat tona po japin një kontribut të mëtejshëm të vlefshëm në mbrojtjen e rajonit lindor të NATO-s, së bashku me krahun tonë të reagimit të shpejtë të stacionuar në Rumani që nga gushti”, tha oficeri komandues i forcave ajrore, gjenerallejtënant Holger Neumann.
Gjermania po sinjalizonte mbështetje për Poloninë dhe NATO-n në tërësi, shtoi Neumann.
Siç theksohet më tej, aeroplanët gjermanë u stacionuan në Malbork, rreth 60 kilometra në juglindje të Gdańsk dhe 80 kilometra në perëndim të enklavës ruse të Kaliningradit, në gusht dhe shtator.
Aeroplanët shoqërohen nga rreth 150 persona, përfshirë pilotë, teknikë, roje dhe policë ushtarakë.











