Të gjitha ambasadat i reagojnë Sami Kurteshit, AGK-ja kërkon largimin e tij nga KQZ

Deklaratat e akuzat e rënda nga Sami Kurteshi, kanë nxitur reagime të mëdha në Kosovë.

Kurteshi e krahasoi AGK-në me organizatë që mbron vrasësit me pagesë.

I pari që reagoi ishte sekretari i Federatës së Gazetarëve, Gutierrez, i cili kërkoi nga Kurti ndërhyrje direkte për t’i ndalur këto sulme.

“Zoti Kurti, duke i toleruar shpërthime të tilla, ju po i minoni gazetarët, besueshmërinë e tyre dhe vendin tuaj, duke lejuar që vetë partia juaj, VV, t’i denigrojë të gjithë ata që guxojnë t’ju kërkojnë llogari juve dhe vendimmarrësve të tjerë. Turp për partinë tuaj! Ju bëj thirrje t’i jepni fund këtij intimidimi para se të jetë tepër vonë. Kam parë shumë gazetarë të vuajnë nga abuzimet dhe sulmet fizike, shumë shpesh pasi më parë janë denigruar publikisht. Ju keni përgjegjësi t’i jepni fund këtyre praktikave me sjellje mafioze”, tha ai.

Ambasadori francez në Kosovë në një vijë me qëndrimin e BE-së: Media janë pjesë e domosdoshme e demokracisë funksionale

Ditën e sotme, gjuhën e Kurteshit e dënoi edhe Bashkimi Evropian.

“BE-ja në Kosovë dënon sulmin dhe gjuhën e përdorur nga anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të LVV-së, Sami Kurteshi, i cili e etiketoi Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK) si një “aleancë grupesh kriminale” dhe kërkon që praktika të tilla të marrin fund. #LiriaeMedias duhet të mbrohet në çdo shoqëri demokratike – BE-ja do të vazhdojë ta mbështesë në zhvillimin e saj”, thuhet në reagim.

Deklaratën e BE-së e mbështeti edhe ambasadori Francës dhe ambasada e Gjermanisë.

“Krahasimi i Asociacionit të Gazetarëve (AGK) me një grup kriminal jo vetëm që është i padenjë, por edhe një sulm ndaj lirisë së medias. Ne i bashkohemi BE-së në dënimin e një retorike të tillë”, thuhet në reagim.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i ka kërkuar Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, largimin e Sami Kurteshit nga KQZ-ja.

Kurteshi, në një reagim publik, e quajti AGK-në “Aleancë të Grupeve Kriminale” dhe listoi një sërë mediash, që sipas tij operojnë si “vrasës me pagesë”.

“Këto akuza, përveç që janë të pabaza, paraqesin rrezik real për sulme të mundshme në të ardhmen ndaj gazetarëve dhe pjesëtarëve të mediave në punën e tyre profesionale në terren. Deklaratat nxitëse të urrejtjes të z. Kurteshi janë vazhdimësi e një fushate linçuese ndaj gazetarëve, me qëllim frikësimin e tyre dhe minimin e lirisë së medias në vend. AGK-ja e fton Vetëvendosjen, liderin e saj Albin Kurti dhe Presidenten e Republikës, Vjosa Osmani, që të konsiderojnë largimin e Kurteshit nga pozicioni i tij në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve”, thuhet në reagim.

Zyra e BE-së dënon sulmet e Sami Kurteshit ndaj AGK-së e gazetarëve: Liria e medias duhet të mbrohet