Messi: Guardiola është unik, më i miri nga të gjithë. Dua ta fitoj përsëri Kupën e Botës

Leo Messi, fitues i gjithçkaje me Pep Guardiolën te Barcelona, tani tek Inter Miami, ka folur për trajnerin katalanas të Manchester City në një intervistë për ESPN. Argjentinasi e konsideron Guardiolën trajnerin më të mirë të karrierës së tij:

“Për mua është unik. Ka trajnerë jashtëzakonisht të mirë, por ai ka diçka të ndryshme. Për mua është më i miri nga të gjithë. Për mënyrën se si i shikon gjërat, përgatit ndeshjet, transmeton idetë te lojtarët… është shumë i plotë. Shkoi edhe diku tjetër dhe vazhdoi të fitojë. Jo vetëm fitoi, por ndikoi në mënyrë spektakolare mënyrën e lojës së ekipeve të tij”.

Messi, i gatshëm për Botërorin e ardhshëm, beson se Argjentina mund ta mbrojë titullin, por paralajmëron: “Për ta fituar Botërorin, çdo detaj është vendimtar. Një ndeshje mund të vendoset nga një penallti, një goditje në shtyllë… kundër Holandës dhe Francës ne ishim superiorë, por shkuam te penalltitë. Pastaj Dibu (Emiliano Martínez) na ndihmoi të fitojmë, por mund të shkosh te penalltitë dhe të mos fitosh. Është shumë e vështirë ta fitosh një Botëror”.

The post Messi: Guardiola është unik, më i miri nga të gjithë. Dua ta fitoj përsëri Kupën e Botës appeared first on Telesport.