Umtiti zbulon si e rrëzoi depresioni: I bëra dëm vetes duke qëndruar në heshtje…

Kampioni i botës, Samuel Umtiti, që u tërhoq nga futbolli në shtator, ka folur publikisht për depresionin e rëndë që përjetoi pas triumfit në Botërorin 2018. Në dokumentarin “Têtes plongeantes, faire équipe pour la santé mentale”, ai rrëfen se suksesi sportiv binte ndesh me gjendjen e tij të brendshme. “Kisha vështirësi të ngrihesha nga shtrati dhe të shihja njerëz”, – tregon ai, duke shtuar se mendonte se ishte diçka e përkohshme, por zgjati për muaj të tërë.

Presioni i futbollit dhe ideja se duhej të dukej i fortë e mbajtën atë në heshtje: “I bëra dëm vetes duke qëndruar në heshtje. Do të kisha dalë më shpejt nga ajo gjendje po ta kisha ndarë me të tjerët”. Bisedat me të rinjtë pjesëmarrës në dokumentar e ndihmuan të hapet dhe ta relativizojë dhimbjen e vet: “Ky lloj procesi më bën shumë mirë”.

Edhe pse nuk tregon shkakun kryesor, pranon se problemet fizike dhe vendimet mjekësore për gjurin ndikuan. Sot ndihet më i fortë: “Besoj se jam çliruar. Vazhdoj të kem ndonjë pasojë, por po eci përpara”.

The post Umtiti zbulon si e rrëzoi depresioni: I bëra dëm vetes duke qëndruar në heshtje… appeared first on Telesport.