Festim Kabashi i Lidhjes Demokratike të Kosovës e ka quajtur “tejet të ulët dhe të dënueshëm” sulmin e rëndë ndaj mediave të Sami Kurteshit, anëtari i Vetëvendosjes në KQZ.
Kabashi, gjuhën e Kurteshit për gazetarët si “vrasës me pagesë”, e sheh edhe si alarm se Kosova do të renditet edhe më keq ndërkombëtarisht siç ishte rasti me raportin e Reporterëve Pa Kufinj.
Postimi i plotë:
Është tejet i ulët, i papranueshëm dhe i dënueshëm sulmi brutal i Sami Kurteshit ndaj AGK-së, organizatës më kredibile të gazetarëve të Kosovës. Sulmi ndaj AGK-së nënkupton sulm ndaj qindra gazetarëve që përfaqësohen nga ky Asociacion, rrjedhimisht cenim serioz ndaj lirisë së medias, një prej shtyllave kryesore të funksionimit të shtetit demokratik.
Sulmet e vazhdueshme të këtij ish-pushteti janë alarm se Kosova vitin tjetër do të renditet edhe më keq në raportet ndërkombëtare.
Këto media që sot etiketohen si “vrasës me pagesë” janë të njëjtat që zbuluan, jo shumë vite më parë, skandale të shumta, të cilat partia e Kurteshit i shndërroi në kauza politike. Andaj, sot nuk kanë ndërruar mediat, por kanë ndërruar interesat e Vetëvendosjes.











