Autoritetet federale filluan këtë të mërkurë, më 3 dhjetor, një operacion policor në New Orleans, duke synuar personat që jetojnë ilegalisht në qytet. Nisja e këtij aksioni u njoftua nga Departamenti Amerikan i Sigurisë Kombëtare, pasi administrata e Trump ka nisur fushatën e saj kundër emigracionit nga qyteti në qytet.
“Objektivat përfshijnë kriminelë të dhunshëm që janë liruar pas arrestimit për hyrje me forcë në banesa, grabitje të armatosur, vjedhje makinash dhe përdhunime,” tha në një deklaratë zëdhënësja e Sigurisë Kombëtare, Tricia McLaughlin, citon Reuters.
Shtrirja e operacionit në New Orleans nuk ishte e qartë, megjithëse më herët ishte parashikuar të zgjaste deri në fund të vitit, duke u shoqëruar me një ngadalësim gjatë periudhës së Krishtlindjeve.
Presidenti amerikan Donald Trump tha gjatë një mbledhjeje të kabinetit të martën se Garda Kombëtare do të dislokohej në qytetin jugor pas disa javësh.
New Orleans, me një popullsi prej rreth 384 mijë banorësh, është vetëm qyteti më i fundit me kryetar bashkie demokrat që synohet nga fushata e deportimeve masive të Trump.
Që nga vera, zyrtarët federalë të emigracionit kanë shtuar burimet Los Angeles, Chicago dhe Washington, D.C , duke nxitur kritika për taktikat agresive dhe arrestimet e personave që nuk kishin kryer asnjë krim. Aksioni në New Orleans pason një operacion të zhvilluar më parë në Charlotte, North Carolina.











