168 milionë euro importe nga Serbia në vetëm 10 muaj

“Marrëdhënia e re, e gjithsesi shumë e vjetër, që po na imponohet – ‘Tregtia e Lirë’ midis nesh dhe Serbisë, vendit që nuk na njeh as të drejtën për të ekzistuar – është e dëmshme dhe e gabuar.” Kështu deklaronin nga Vetëvendosje në vitin 2011, teksa rrokulliseshin maunat me mallra serbe në magjistralen Prishtinë–Besianë

Sot, mbi një dekadë më vonë, e njëjta parti që dikur ngrinte barrikada në rrugë, tash e trumpeton si “sukses” uljen relative në përqindje të importit të energjisë nga Serbia, duke e krahasuar atë me qeveritë paraardhëse.

Megjithatë, pasqyra e plotë e shifrave të importit, ajo që nuk mund të manipulohet me përqindje të izoluara, vulos pamohueshëm dështimin e një prej kauzave më fundemantale të kësaj partie.

Të dhënat zyrtare për periudhën janar–tetor 2025 raportojnë një vlerë marramendëse prej 192.8 milionë eurosh import nga Serbia, rikthim i paprecedentë krahasuar me një apo dy vite më parë.

Për të kuptuar përmasën e këtij “pushtimi” të ri tregtar, mjafton të krahasohet e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

  • Nëse në janar-tetor 2024 importet ishin dukshëm më të ulëta, viti 2025 tregon një diferencë prej 107 milionë eurosh më shumë nëse krahasohet periudha e njëjtë e vitit parparak.
  • Kjo rritje nuk është e rastësishme; numrat na u projeksionuan që në pjesën e parë të vitit (janar-maj 2025), kur Dogana e Kosovës raportoi një rritje prej 117% krahasuar me vitin paraprak.

Ky trend agresiv ka vazhduar me ritme të frikshme gjatë gjithë vitit, duke e ripozicionuar Serbinë si një faktor dominues në tregjet e Kosovës.

Në vitin 2024, importet mujore nga Serbia ishin relativisht të ulëta dhe të qëndrueshme, me një mesatare rreth 8 milionë euro në muaj. Në vitin 2025, vërehet një rritje drastike, ku vetëm në muajin gusht importet arritën në 22.7 milionë euro, shifra më e lartë mujore e regjistruar për këtë periudhë.

Pjesa më e madhe e rritjes vjen nga produktet ushqimore (pije freskuese, biskota, vaj ushqimor) dhe ato bujqësore (grurë, misër). Për shembull, importi i pijeve freskuese dhe ëmbëlsirave ka shënuar rritje të ndjeshme.

Rikthimi i madh i produkteve serbe – nga “Plazmat” te materialet ndërtimore – nuk ndodhi në vakum. Ajo ka një datë të saktë fillimi: 7 Tetor 2024. Kjo datë shënon momentin kur ish-Kryeministri Albin Kurti u dorëzua duke hequr ndalesën e mallrave serbe në pikën kufitare të Merdares. Që nga ai vendim, barrierat tregtare u harruan, duke i hapur rrugë vërshimit masiv të mallrave nga Serbia.

Për më tepër, të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës mbi tregtinë e jashtme (2021-2024) e përgënjeshtrojnë plotësisht narrativën e suksesit ekonomik të shpallur nga Kurti, sipas të cilit Kosova po kalonte në një epokë të re eksportesh nën udhëheqjen e tij.

Deficiti tregtar kumulativ i Kosovës në katër vitet e fundit arrin 19 miliardë euro. Jo thjesht një statistikë, por një përgënjeshtrim brutal i suksesit të shumëtrumbetuar nga kreu i qeverisë.

Bilanci tregtar, që tregon diferencën mes vlerës së produkteve të eksportuara dhe atyre të importuara, pasqyron një trend të frikshëm: me eksportet që ndonëse paten një rritje impresive në vitin 2022, mbeten të zbehta në vitet pasuese. Importet në anën tjetër, u rriten eksponencialisht.