Lockheed Martin zgjat bashkëpunimin me Izraelin deri në 2029

Që prej fillimit të bashkëpunimit në vitin 2005, kompania ka investuar mbi 4 miliardë dollarë në vend.

Gjiganti amerikan i industrisë së mbrojtjes, Lockheed Martin, ka zgjatur deri në vitin 2029 marrëveshjen e bashkëpunimit industrial me Autoritetin Izraelit të Bashkëpunimit Industrial (ICA).

Lajmi u konfirmua gjatë një ceremonie zyrtare ku morën pjesë ministri izraelit i Ekonomisë dhe Industrisë, Nir Barkat, përfaqësues të ICA-së dhe drejtuesit më të lartë të kompanisë amerikane.

Marrëveshja e re zgjeron kuadrin e Umbrella Industrial Cooperation Agreement (UICA), që i lehtëson Lockheed Martin shitjet dhe investimet në Izrael.

Që prej fillimit të bashkëpunimit në vitin 2005, kompania ka investuar mbi 4 miliardë dollarë në vend, ndërsa marrëveshja e vitit 2020 solli më shumë se 470 milionë dollarë investime lokale.

Barkat e cilësoi marrëveshjen si “një votëbesim të qartë për industrinë izraelite, ndërsa COO i Lockheed Martin, Frank St. John, theksoi se zgjerimi i partneritetit do të forcojë zinxhirin industrial dhe inovacionin në mbrojtje.

Lockheed Martin furnizon Izraelin me avionë luftarakë F-16 dhe F-35 dhe është duke bashkëpunuar me kompaninë Rafael për një version amerikan të sistemit të mbrojtjes me lazer Iron Beam.