Qesharake: MPJD i propozoi KQZ-së miratimin e qendrave për votim jashtë përfaqësive diplomatike, pa marrëveshje me shtetet pritëse

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës duket se nuk ka njohuri elementare se si funksionojnë marrëdhëniet mes shteteve. Kjo ministri i kishte propozuar KQZ-së miratimin e qendrave të paligjshme për votim jashtë përfaqësive diplomatike pa marrëveshje me vendet pritëse.

Burimet e gazetës Nacionale brenda MPJD-së kanë bërë me dije se kjo ministri nuk e kishte ndërmarr asnjë hap për arritjen e këtyre marrëveshjeve me shtet përkatëse.

Përveç propozimit jo ligjor për hapje të qendrave të votimit jashtë përfaqësive diplomatike, ministria që drejtohet nga Donika Gërvalla kishte propozuar 10 qendra për votim pa diskutime paraprake me shtetet respektive si Gjermania, Zvicra, SHBA-ja dhe Britania e Madhe.

I njëjtit burim i ka thënë gaztës se votimi jashtë vendit, në hapësira që nuk janë brenda ambasadave apo konsullatave, nuk mund të organizohet pa leje të posaçme të shtetit pritës.

Për realizmi e këtij votimi duhen marrëveshje ndërshtetërore ose autorizime zyrtare që e lejojnë vendosjen e qendrave të votimit në territorin e tyre. Pa këto leje, asnjë shtet, përfshirë Kosovën, nuk mund të organizojë votim fizik në vende publike, salla, qendra kulturore apo hapësira tjera jashtë përfaqësive diplomatike”, ka thënë burimi brenda MPJD-së.

Burimi në fjalë është shprehur i habitur se si MPJD-ja i kishte propozuar KQZ-së miratimin e këtyre qendrave të votimit pa pasur asnjë marrëveshje paraprake me Gjermanin për 5 qendra votimi, Zvicrën për 3 qendra votimi dhe ShBA-në e Britaninë e Madhe me nga një qendër votimi.

Madje, sipas këtij burimi, MPJD as nuk i kishte rezervuar restaurantet dhe hapësira e propozuar për qendra votimi.

Pavarësisht se MPJD nuk ka dëshmuar para KQZ-së se ka marrëveshje me këto shtete, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me presionin e përfaqësuesve të VV-së ka miratuar qendrat e votimit në hapësirat shtesë.

Kjo është mundësuar edhe me votën përcaktuese të kreut të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

Gazeta Nacionale kishte raportuar se miratimi i këtyre qendrave të votimit ishte joligjor dhe në kundërshtim me praktikat e deritashme të KQZ-së.

Kjo sepse Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme parasheh që votimi jashtë vendit të bëhet vetëm në ambasada dhe konsullata të Republikës së Kosovës.

Sipas nenit 96, paragrafi 8, KQZ kërkon nga MPJD, listën e të gjitha përfaqësive diplomatike, bashkë me detajet e nevojshme mbi hapësirën e objekteve dhe t’i përshtat hapësirat e objekteve të përfaqësive diplomatike në vendvotime sipas kritereve të përcaktuara nga KQZ.

KQZ kërkon nga MPJ, listën e të gjitha përfaqësive diplomatike, bashkë me detajet e nevojshme mbi hapësirën e objekteve. Ministria e Punëve të Jashtme obligohet që t’i ofrojë KQZ-së të gjitha informacionet e kërkuara brenda tre (3) ditë, nga dita e pranimit të kërkesës. MPJ përshtat hapësirat e objekteve të përfaqësive diplomatike në vendvotime sipas kritereve të përcaktuara nga KQZ”, thuhet në ligj.

Pas miratimi në KQZ të këtyre qendrave të votimit, LDK-ja është ankuar në PZAP, i cili ka rrëzuar vendimin e KQZ-së.

PZAP-ja ka vlerësuar se votimi jashtë përfaqësive diplomatike është në kundërshtim me ligjin. Vendimi i PZAP-së nuk i ka pëlqyer VV-së, e cila sot këtë vendim e ka ankimuar në Gjykatën Supreme.