Çitaku ka ironizuar me deklaratën e ish-deputetes së VV-së: Ndoshta e ka pasur fjalën për Martinin e Nagipin

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka ironizuar me deklaratën e ish-deputetes së VV-së, Liza Gashi, e cila ka thënë se kosovarët kurrë nuk kanë qenë më të pasur.

Ajo ka vlerësuar se zyrtarja e partisë së Kurtit ndoshta e ka pasur fjalën ambasadorin Martin Berishaj dhe ish-drejtorin e KEK-së, Nagip Krasniqi, të cilët dyshohen për korrupsion.

Në profilin e saj në “Facebook”, Çitaku ka shkruar se realitetin në Kosovë e dinë të gjithë.

“Kosovarët, tha, kurrë nuk kanë pasur më shumë para se sot. Ndoshta e ka pasur fjalën për Martinin e Nagipin. Se për pensionistët, që çdo muaj duhet të zgjedhin mes barnave dhe ushqimit, nuk foli. As për mësimdhënësit, që mezi e përmbyllin muajin. As për mjekët, që sot s’kanë as tretës për pacientët e tyre. As për policët, të cilëve po u ndalen edhe shujtat. As për ndërmarrësit e rinj, që luftojnë të paguajnë faturat e energjisë elektrike. Po, para sot më shumë kanë vetëm: mafia energjetike, Martini, Nagipi & co. Populli jo. Kosova jo. Dhe këtë e dinë të gjithë”, ka shkruar ajo.