Kryetari i Listës Srpska, Zlatan Elek, tha se kanë paraqitur ankesë në Panelin e Ankesave dhe Parashtresave Zgjedhore kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos certifikuar partinë e tij për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Në një konferencë për media, Elek e quajti vendimin e KQZ-së “antidemokratik dhe antiserb”.
Elek kujtoi se kjo është hera e tretë këtë vit që mbahen zgjedhje në Kosovë dhe se kjo është hera e tretë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve “shkel të drejtat e popullit serb dhe nuk certifikon Listën Srpska”.
“Po e shkatërron Listën Serbe dhe nuk po e lejon subjektin tonë politik të marrë pjesë në zgjedhje. Lista Srspka është padyshim partia më e fortë serbe në Kosovë. Ajo fitoi më shumë vota në zgjedhjet parlamentare dhe lokale. Të dhjetë kryetarët e komunave me shumicë serbe janë nga Lista Srpska, si dhe dy të tretat e asamblistëve. Lista Srpska është partia me raportin më të mirë financiar në vitet e fundit. Pavarësisht faktit se ne kemi të drejtë të marrim pjesë në zgjedhjet parlamentare, regjimi i Albin Kurtit dëshiron ta pengojë Listën Srpska ta bëjë këtë dhe të drejtën e popullit serb për të zgjedhur përfaqësues legjitimë nga populli serb”, tha ai.
Ai tha se “është alarmante që e gjithë kjo po ndodh para syve të bashkësisë ndërkombëtare, e cila nuk ka arritur ta mbrojë popullin serb”.
Në herët e fundit kur u përsërit e njëjta situatë, PZAP e Gjykata Supreme vendosën për certifikimin e Listës Srpska.











