Memoriali “Adem Jashari” dështoi për herë të dytë- askush nuk guxon të marrë përsipër projektin

Memoriali përkujtimor “Adem Jashari”, një nga projektet më simbolike që Komuna e Prishtinës ka premtuar që prej fillimit të mandatit, ka dështuar përsëri. Për herë të dytë brenda dy viteve, konkursi për projektimin e memorialit ka përfunduar pa asnjë rezultat, shkruan Demokracia.com.

Projekti për ndërtimin e Memorialit Përkujtimor “Adem Jashari” në Prishtinë po shndërrohet në një nga proceset më të dështuara të këtij mandati në kryeqytet. Për herë të dytë, kjo nismë ka mbetur pa asnjë ofertues, pavarësisht se Komuna kishte hapur një konkurs të ri të projektimit, me vlerë 150 mijë euro. Këtë herë, procesi ngeci që në hapjen e ofertave, pasi më 3 nëntor, komisioni komunal konstatoi se në garë nuk ishte paraqitur asnjë operator ekonomik.

Dështimi i radhës vjen pas një sërë komplikimesh dhe një historie që nis më herët, kur Komuna e Prishtinës kishte provuar ta realizonte konkursin përmes Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit (SHAK). Atëkohë, pas një gare me disa pjesëmarrës, Komuna kishte përzgjedhur disa projekte finaliste dhe i kishte ekspozuar në hollin e komunës, me idenë që qytetarët të votonin për propozimin më të mirë.

Kutia e votave për sheshin ‘Adem Jashari’ u zhduk pa gjurmë dhe Komuna e Prishtinës nuk jep përgjigje – a po përpiqet ta manipulojë procesin?

Por procesi nuk shkoi deri në fund. Edhe pse votimi u mbajt, rezultati nuk u publikua kurrë.

Kryetari Përparim Rama, i pyetur në një debat politik se pse kishte ngecur projekti, kishte konfirmuar publikisht se projektet nuk i kishin pëlqyer Familjes Jashari, e cila konsiderohet palë kyçe në miratimin final të çdo memoriali që mban emrin e komandantit legjendar të UÇK-së.

Pas kundërshtimit të familjes, Komuna u detyrua ta anuloj procesin e parë dhe të shpallë konkurs të ri, këtë herë me rregulla të reja dhe me vlerë 150 mijë euro.

Konkursi i ri u hap më 19 shtator, por vetëm pak javë më vonë, rezultati ishte i njëjtë si dështimi: asnjë ofertë nuk u dorëzua.

Pse dështoi konkursi për herë të dytë?

Pavarësisht se Memoriali Adem Jashari është një projekt i rëndësisë së jashtëzakonshme simbolike, disa faktorë të fortë duket se kanë dekurajuar të gjitha zyrat arkitekturore dhe kompanitë e projektimit. Disa nga arsyet mund të jenë

  1. Kriteret tepër të rënda dhe joproporcionale me tregun në Kosovë

Konkursi kërkonte një listë të gjatë profesionistësh të nivelit MSc, me përvojë nga 5 deri në 10 vite, përfshirë:

arkitekt projektues me projekte publike mbi 100 mijë euro, skulptor me vepra të realizuara publike, arkitekt të peizazhit, historian, inxhinier konstruktiv, hidroteknik, elektro, gjeodezist, ekspert gjeomekanike, dhe të gjitha këto të dëshmuara me kontrata pune, CV, diploma, referenca tatimore e financiare, raporte të audituara etj. Shumë zyre të arkitekturës në Kosovë nuk i kanë këto kapacitete, veçanërisht në projekte të një natyre kaq specifike dhe simbolike.

  1. Kërkohej përvojë e mëparshme në projekte të ndërtesave të larta prej 200 mijë euro

Ky kriter mund të shihet si i pakuptimtë për një memorial, por mbi të gjitha: shumë operatorë nuk e plotësojnë, e kufizon tregun vetëm në disa kompani të mëdha, zvogëlon konkurrencën deri në nivel minimal.

  1. Çmimi prej 150 mijë euro i ulët për një ekip kaq të madh

Për një ekip që minimalisht duhet të përfshijë 10–12 profesionistë të specializuar, kompanitë mund ta kanë konsideruar projektin financiarisht jo të favorshëm.

Vetëm paga e stafit për hartimin e një projekti ideor të memorialit publik mund ta tejkalojë këtë shumë.

  1. Frika profesionale dhe politike – projekti është tepër i ndjeshëm

Memoriali “Adem Jashari” është projekt me peshë të madhe historike dhe emocionale. Kompanitë janë të vetëdijshme se çdo dizajn mund të përballet me kritika publike, çdo gabim përkthehet në rrezik reputacional, projekti mund të refuzohet sërish edhe pas investimit të madh në përgatitjen e propozimit.

Në thelb, askush mund të mos ketë dashur të marrë përgjegjësinë për një projekt me risk të lartë publik, historik dhe profesional, përballë një komisioni të ndjeshëm dhe një familjeje që nuk pranon kompromise estetike apo simbolike.

Mandej, shumë kompani e kanë përjetuar si paralajmërim faktin që një konkurs i mëparshëm për memorialin ka dështuar, projektet e përzgjedhura nga SHAK nuk janë pranuar nga familja. Mbi të gjitha është hapur në një kohë kur Komuna Prishtinës ka deklaruar publikisht se është pranë kolapsit total financiar, pasi kuleta e saj është e zbrazur.

Tek Aneksi 1 – Specifikimet Teknike dhe/ose estetike TË DETYRUESHME, flet për termat e Referencës për projektin “Memoriali Përkujtimor kushtuar komandantit legjendar Adem Jashari dhe sakrificës së familjes së tij”.

Pas dy paragrafëve ku përshkruhet sakrifica mbinjerëzore e familjes Jashari, në mënyrë të drejtë dhe të respektueshme, teksti bën një kthesë të lehtë drejt marketingut urbanistik.

“Përafrimi me vizionin e kryetarit Përparim Rama”Pra, memoriali nuk është vetëm përkujtim, por edhe një pajisje multifunksionale që i shërben “Prishtinës gjithëpërfshirëse” dhe, natyrisht, vizionit të kryetarit për ta bërë kryeqytetin “fener të trashëgimisë kulturore”.

Pastaj vjen pjesa “praktike”: projektimi, qasshmëria, parimet ekologjike, mirëmbajtja, funksionimi, të gjitha të domosdoshme, por të shkruara me një zell që duket sikur dosjen e ka përgatitur një ekip i kombinuar i urbanistëve, juristëve dhe poetëve të rinj të arkitekturës bashkëkohore.

Këtu hyn edhe pjesa më “e butë”: lokacioni, pikërisht mbi nënkalimin e rrugës “Agim Ramadani”.

Derisa konkursi ka dështuar në muajin e kaluar, Komuna Prishtinës nuk ka rishpallur akoma një të ri. /Demokracia.com/