Pas dy vitesh lufte, opinionet publike kanë ndryshuar ndjeshëm.
Një krizë e mundshme për shërbimin ushtarak të hebrenjve ultra-ortodoksë po kërcënon të dobësojë Qeverinë e Izraelit dhe të thellojë ndarjet brenda vendit.
Pas dy vitesh lufte, opinionet publike kanë ndryshuar ndjeshëm, duke e bërë këtë një nga çështjet më të nxehta politike për kryeministrin Benjamin Netanyahu.
Ligjvënësit po shqyrtojnë një projektligj për të hequr përjashtimin që u jepej burrave ultra-ortodoksë të regjistruar në studime fetare të plota, përjashtim që daton nga themelimi i Shtetit të Izraelit në vitin 1948.
Ky përjashtim u shpall i paligjshëm nga Gjykata e Lartë e Izraelit rreth 20 vjet më parë, por vazhdoi të zbatohej përmes marrëveshjeve të përkohshme, të cilat u përfunduan vitin e kaluar, duke detyruar Qeverinë të nisë regjistrimin e komunitetit për shërbimin ushtarak.
Nga 24 mijë thirrje për shërbim që u dërguan vitin e kaluar, vetëm rreth 1 mijë e 200 ultra-ortodoksë raportuan për detyrë, sipas dëshmive të dhëna nga ushtria para ligjvënësve.
Tensionet janë nxjerrë tashmë në rrugë: dy politikanë Haredi u sulmuan nga protestues ultra-ortodoksë, ndërsa njësi speciale e Policisë Kufitare u detyrua të shpëtojë oficerët e Policisë Ushtarake që përballeshin me turmën gjatë përpjekjeve për arrestimin e individëve që shmangnin thirrjen për shërbim.
Për të koordinuar reagimet, komuniteti ultra-ortodoks ka krijuar një sistem mesazhesh të quajtur “Black Alert”, për të mobilizuar protestuesit kundër arrestimeve.
Protesta më e madhe u zhvillua muajin e kaluar në Jerusalem, me dhjetëra mijëra Haredi që dolën në rrugë. Për shumë pjesëmarrës, kjo çështje lidhet me identitetin e shtetit hebre dhe vendin e fesë brenda tij.
“Ne jemi një vend hebre. Nuk mund të luftosh kundër Judaizmit në një vend hebre”, tha një protestues, Shmuel Orbach.
Megjithatë, brenda mureve të Kisse Rahamim Yeshiva në Bnei Brak, një qytet ultra-ortodoks pranë Tel Avivit, jeta akademike vazhdon pa ndryshime. Të rinjtë studiojnë Ligjin Judaik në çifte, ndërsa drejtuesi i seminarit, Rabbi Tzemach Mazuz, tha: “Duke studiuar Torën, ne mbrojmë ushtarët kudo që janë. Kjo është ushtria jonë”.
Ultra-ortodoksët besojnë se lutja dhe studimi i vazhdueshëm i Shkrimeve janë po aq të rëndësishme për suksesin ushtarak të Izraelit sa tanket dhe aeroplanët.
Sidoqoftë, Mazuz pranoi se perceptimet po ndryshojnë: shumë anëtarë të qeverisë dhe Knessetit e shohin komunitetin e yeshivave si dembel, një pretendim që ai e mohon.
Ndërkohë, qyteti i Tel Avivit ka kontribuar masivisht me ushtarë gjatë luftës, duke hedhur një dritë mbi presionin e ndjerë nga rekrutët dhe rezervistët, dhe duke nxjerrë në pah tensionet midis pjesëtarëve të komunitetit që nuk shërbejnë dhe pjesës tjetër të shoqërisë.











