Biznesmeni nga veriu i Kosovës në qendër të skandalit të ndërtimit në Serbi

“Unë nuk mund ta fajësoj as veten, as dikë tjetër. Do të ishte shumë budallallëk. Më e rëndësishmja për mua është që të mos ketë të lënduar”, thotë për Radion Evropa e Lirë Radosh Petroviq, investitor nga veriu i Kosovës në një kantier në Kragujevc, në Serbinë qendrore.

Të premten, më 28 nëntor, aty u shemb muri mbajtës, duke bërë që një pjesë e rrugës hyrëse në ndërtesën përkatëse të rrëshqasë në një gropë disa metra të thellë.

Pamja e shembjes u bë virale.

Më 2 dhjetor, Zyra e Prokurorit Publik në Kragujevc njoftoi se ka urdhëruar policinë që të kryente një hetim në vendngjarje dhe të merrte masa “me qëllim përcaktimin e të gjitha rrethanave përkatëse” dhe “ekzistencës së mundshme të elementeve të një vepre penale, për të cilën ai do të ndiqet penalisht”.

Radosh Petroviq pranoi të fliste me Radion Evropa e Lirë dhe tha se askush nuk e kishte kontaktuar ende për këtë.

Gazetarja e REL-it në vendngjarje – e cila ndodhet pranë Fakultetit të Drejtësisë dhe Gjimnazit të Dytë në Kragujevc, ku, viteve të fundit, janë ndërtuar edhe ndërtesa dhe ambiente të reja biznesi – gjeti disa punëtorë.

Rruga që çon te Qendra e Ekselencës, një kompleks shkencor ende i papërdorur që do t’i jepet Universitetit të Kragujevcit, është shembur plotësisht gjatë ditëve të fundit, ndërsa muret e ndërtesës ndodhen vetëm disa metra larg majës së një gremine.

Lokacioni është siguruar me shirit policor.

Pamje arkivore të parcelës kadastrale mbi të cilën është ndërtuar ndërtesa dhe për të cilën investitori nuk ka marrë leje ndërtimi. Rrëshqitja e dheut më 2 dhjetor ndodhi disa metra larg ndërtesës fqinje.
Pamje arkivore të parcelës kadastrale mbi të cilën është ndërtuar ndërtesa dhe për të cilën investitori nuk ka marrë leje ndërtimi. Rrëshqitja e dheut më 2 dhjetor ndodhi disa metra larg ndërtesës fqinje.

Në parcelën me numër 10410-17 mund të shihet një ndërtesë që po ndërtohet nga investitori Radosh Petroviq – me gjashtë kate të ndërtuara tashmë.

Megjithatë, sipas Regjistrit zyrtar të lejeve të ndërtimit në Serbi, asnjë leje ndërtimi nuk është lëshuar për ndërtim në këtë vendndodhje.

Punët pa leje

Sipas këtij regjistri, investitori “RP Invest 1980” paraqiti një kërkesë për leje ndërtimi më 17 nëntor, 2025, dhe kjo kërkesë u refuzua vetëm një ditë para se rruga të shembej pranë vendit të ndërtimit.

Nga dokumentacioni shihet se kompania për këtë punë ka marrë në qershor të ashtuquajturat kushte lokacioni – një dokument që përbën hapin e parë në procedurën për marrjen e lejes së ndërtimit dhe mbi bazën e të cilit nuk lejohet ligjërisht të kryhet ndonjë punë ndërtimore.

Vendimi për refuzimin e kërkesës së kompanisë “RP Invest” për leje ndërtimi, 27 nëntor 2025 (Burimi: CEOP)
Vendimi për refuzimin e kërkesës së kompanisë “RP Invest” për leje ndërtimi, 27 nëntor 2025 (Burimi: CEOP)

Sipas imazheve të Google Earth nga qershori i këtij viti, shihet se pastrimi i terrenit dhe gërmimi i tokës kanë filluar të paktën një muaj më parë.

Një imazh satelitor nga qershori i këtij viti - i disponueshëm në Google Earth - tregon fillimin e punimeve, edhe pse në atë kohë investitori nuk i kishte lejet e nevojshme.
Një imazh satelitor nga qershori i këtij viti – i disponueshëm në Google Earth – tregon fillimin e punimeve, edhe pse në atë kohë investitori nuk i kishte lejet e nevojshme.

Lejen për kryerjen e punëve përgatitore, që përfshijnë vendosjen e shtyllave dhe gërmimin deri në nivelin e themelit, kompania e mori më 20 tetor të këtij viti.

Fotografitë satelitore nga 31 tetori tregojnë se “RP Invest” deri atëherë kishte ndërtuar themelin dhe kishte filluar ngritjen e kateve.

Imazh satelitor (Planet.com, SkySat) nga 31 tetori 2025, që tregon se në vendin ku ndodhi shembja më 28 nëntor 2025, një ndërtesë ishte në ndërtim e sipër. Bazuar në madhësinë e hijes, mund të supozohet se kishte dy ose tri kate në atë kohë.
Imazh satelitor (Planet.com, SkySat) nga 31 tetori 2025, që tregon se në vendin ku ndodhi shembja më 28 nëntor 2025, një ndërtesë ishte në ndërtim e sipër. Bazuar në madhësinë e hijes, mund të supozohet se kishte dy ose tri kate në atë kohë.

Ndërtesa tani ka pothuajse gjashtë kate, ndërsa Inspektorati i Ndërtimit e vizitoi kantierin për herë të parë më 21 nëntor – vetëm një javë para se muri mbajtës të shembej. Dhe, menjëherë, u urdhërua ndalimi i punimeve në kantier, për “arsye parandaluese”.

“Na u tha që të mbledhim të dhënat, të mbledhim dokumentacionin e munguar dhe na u dha një afat prej 60 ditësh për të përgatitur dokumentacionin e mbetur. Bëhet fjalë për numrin e vendeve të parkimit, shënjimin e tyre – pra disa detaje teknike dhe me letra”, thotë Petroviq.

Në dokumentin e refuzimit të lejes së ndërtimit theksohet se dimensionet e kateve nëntokësore nuk përputhen me kushtet e lokacionit dhe projektin urbanistik.

Po ashtu, theksohet se “pllaka e themelit dhe muret me të gjitha shtresat nuk mund t’i kalojnë kufijtë e parcelave fqinje”.

Pyetjes se si është e mundur që vetëm me lejen për punë përgatitore dhe gërmim të themelit të ndërtohej një ndërtesë me gjashtë kate, Petroviq i përgjigjet se gjithçka që lidhet me lejen e ndërtimit, është “vetëm çështje teknike”.

“Më është dhënë një afat prej 60 ditësh për të dorëzuar dokumentacionin e mbetur”, thotë ai.

REL: Si është e mundur kjo?

“Epo, nuk është e mundur, por ja që ndodh”, thotë Petroviq.

Për të kuptuar se si ka kaluar gjithçka pa u vënë re, Radio Evropa e Lirë kontaktoi edhe Inspektoratin e Ndërtimit në Kragujevc, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

Çfarë ndërtojnë kompanitë në pronësi të Radosh Petroviqit?

Toka pranë së cilës u shemb muri mbajtës, sipas të dhënave kadastrale, i përket kompanisë “RP Invest 1980” – pronare zyrtare e së cilës është Jellena Petroviq, gruaja e Radosh Petroviqit.

Ajo është e regjistruar në Kragujevc për ndërtimin e ndërtesave banesore dhe jobanesore dhe, sipas të dhënave të regjistrit, ka vetëm dy punonjës.

Vitin e kaluar, sipas të dhënave nga raportet financiare që mund të gjenden në faqen e internetit të Agjencisë së Regjistrave të Biznesit (APR) në Serbi, ajo gjeneroi të ardhura operative në shumën prej 1.8 miliard dinarësh (15 milionë euro).

Në të njëjtën adresë ku është regjistruar kjo kompani, ndodhen edhe “Green Park Building” dhe “RP EURO Invest”, ku bashkëpronar është Radosh Petroviq.

Sipas të dhënave të APR-së, kompania “RP Euro Invest” ka dy punonjës dhe ka realizuar të ardhura prej 8.3 milionë eurosh.

Sipas faqes zyrtare të internetit të kompanisë “RP Invest 1980”, vetëm në Kragujevc u ndërtuan 100.000 metra katrorë ndërtesa banimi dhe komerciale nëpërmjet këtyre kompanive.

“Cilësia më e lartë e punës së kryer, organizimi i ndërtimit dhe respektimi i afateve janë karakteristikat themelore të biznesit tonë, falë të cilave kemi fituar besimin e klientëve dhe kemi ndërtuar imazhin e një partneri të besueshëm në të gjithë vendin”, thuhet në faqen e internetit të kompanisë.

Punët e Radosh Petroviqit në Kosovë

Radosh Petroviq është gjithashtu bashkëpronar i kompanisë “RP Gradnja KM DOO Kosovska Mitrovica”.

Përmes kompanisë së tij në Kragujevc, ai ka qenë kryerës i punimeve në projekte të financuara nga Qeveria e Serbisë në veri të Kosovës.

Sipas të dhënave të Drejtorisë për Prokurime Publike të Serbisë, Petroviq ka fituar punë në tre tenderë.

Në maj të vitit 2021 u nënshkrua një kontratë me Autoritetin e Përkohshëm të Komunës së Zveçanit, i cili vepron brenda sistemit të Serbisë, dhe atij iu dha puna për ndërtimin e tridhjetë njësive të banimit, si dhe punime të tjera të mbetura në lagjen “Sunçana dollina” në Zveçan, në veri të Kosovës. Puna kishte një vlerë prej rreth 2.3 milionë eurosh.

Shtëpi të ndërtuara në lagjen "Lugina e Diellit" në Zveçan.
Shtëpi të ndërtuara në lagjen “Lugina e Diellit” në Zveçan.

Të dyja punimet janë kryer në kuadër të një konsorciumi me kompaninë ndërtimore “Euro-PVC” nga Rashka në Serbi, dhe ata ishin të vetmit ofertues në tender.

Ndërtimi i lagjes “Lugina e Diellit”, e destinuar për personat e shpërngulur nga komuniteti serb i Kosovës, nisi në vitin 2016, dhe projekti u financua nga Qeveria e Beogradit.

Autoritetet e Kosovës e konsiderojnë të paligjshëm vendbanimin e të kthyerve “Lugina e Diellit”, sepse leja e ndërtimit është lëshuar vetëm nga autoritetet serbe, përkatësisht Autoriteti i Përkohshëm Komunal i Zveçanit, i cili për Prishtinën zyrtare është një institucion paralel dhe i paligjshëm.

Për shkak të “ndërtimit të paligjshëm” të kësaj lagjeje është iniciuar edhe një proces gjyqësor, por ai është ndërprerë në vitin 2021 për arsye të kalimit të afatit të parashikuar ligjor.

Autoritetet e Kosovës, ndërkohë, kanë ndaluar punimet për ndërtimin e rrugëve në lagjen “Lugina e Diellit”, me arsyetimin se ndërmarrësit e punimeve nuk kanë pasur lejen e institucioneve përkatëse.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, konfirmon për Radion Evropa e Lirë se puna në këtë vendbanim nuk mund të vazhdojë derisa prokurori të vendosë ndryshe.

REL-i kontaktoi Zyrën e Prokurorit të Mitrovicës për ta pyetur nëse hetimi për ndërtimin e vendbanimit “Lugina e Diellit” është rihapur, por nuk mori përgjigje.

Disa familje janë zhvendosur tashmë në këtë vendbanim, megjithëse nuk ka përfunduar plotësisht.

Një ndërtesë në vendin ku u shemb rruga, e cila ishte ndërtuar pa leje ndërtimi, 2 tetor 2025.
Një ndërtesë në vendin ku u shemb rruga, e cila ishte ndërtuar pa leje ndërtimi, 2 tetor 2025.

Kompania “RP Invest 1980” mori gjithashtu kontratën për të ndërtuar një hotel në Banjskë, në veri të Kosovës, në vitin 2021.

Guri i themelit për ndërtimin e fazës së parë të hotelit brenda kompleksit “Rajska Banja” në territorin e komunës së Zveçanit, u vendos në vitin 2020, në praninë e përfaqësuesve të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Por, në dhjetor të vitit 2023, Agjencia e Kosovës për Privatizim e mori kontrollin e “Rajska Banja”-s, duke pretenduar se toka në të cilën ndodhet kompleksi turistik, është në pronësi të kompanisë “Trepça Standard” nga Mitrovica e Veriut, e cila është nën administrimin e saj.

Kompleksi i mbyllur në "Rajska Banja" në Banjskë të Zveçanit. 20 dhjetor 2023.
Kompleksi i mbyllur në “Rajska Banja” në Banjskë të Zveçanit. 20 dhjetor 2023.

“Në ‘Mitrovicën e Kosovës’ kam ndërtuar mbi 700 njësi banimi dhe afariste në pronësi private, të cilat i kam realizuar si investitor. Po ashtu, kam marrë pjesë në disa tenderë në vitin 2021”, shpjegon Petroviq.

Arrestimi për shkak të trazirave në Zveçan

Radosh Petroviq u arrestua më 29 maj të vitit 2023 në Zveçan, në veri të Kosovës, gjatë përleshjeve mes një grupi serbësh dhe ushtarëve të misionit të NATO-s, KFOR.

Një muaj më vonë, ai u lirua për t’u mbrojtur nga liria.

Në shkurt të vitit 2024 arriti një marrëveshje me Prokurorinë për pranimin e fajësisë “për pjesëmarrje në turmat që kryen vepra penale ose huliganizëm”.

Këtë e konfirmoi për gazetarët përpara Gjykatës Themelore në Prishtinë avokati Asdren Hoxha, duke shtuar se, më herët, i janë hequr tri akuza të tjera me të cilat ishte ngarkuar: “bashkim për veprim të jashtëligjshëm me qëllim sulmi ndaj rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, “rrezikim i personave nën mbrojtje ndërkombëtare” dhe “sulm ndaj një zyrtari shtetëror”.

“Gjykata e pranoi atë për të cilën kemi rënë dakord. Sa i përket Radosh Petroviqit, bëhet fjalë për dënim gjashtëmujor me burg, që është kthyer në gjobë”, shpjegoi avokati Hoxha.

Hedhja e fajit mes autoriteteve dhe investitorëve

Shembja e murit mbajtës dhe e një pjese të rrugës ndodhi të premten në mëngjes, kur në lokacionin e Qendrës së Ekselencës dhe në kantierin fqinj nuk kishte njerëz.

Kompania ndërtimore “Inobaçka”, e cila kishte kryer punimet në Qendrën e Ekselencës, menjëherë pas aksidentit njoftoi se kishte përfunduar ndërtimin që një vit e gjysmë më parë, se gjithçka ishte bërë sipas rregullave dhe se për objektin ishte lëshuar leja e përdorimit.

“Rruga hyrëse është përdorur gjatë gjithë kësaj periudhe dhe ka qenë në gjendje të qëndrueshme dhe të sigurt, derisa punimet në objektin fqinj nuk e dëmtuan stabilitetin e saj”, thuhet në faqen e kompanisë “Inobaçka”.

Në ditën e aksidentit, kompania tha se i ka paralajmëruar disa herë inspektoratet përgjegjëse për rrezikun që paraqisnin punimet në parcelën fqinje.

Megjithatë, këto pretendime u kundërshtuan nga Administrata e Qytetit të Kragujevcit, e cila deklaroi se nuk ishte dorëzuar asnjë paralajmërim për rreziqet dhe se shembja ndodhi për shkak të reshjeve të dendura.

“Bazuar në faktet e vërtetuara, është marrë një vendim sipas të cilit investitori është urdhëruar që t’i ndërmarrë menjëherë veprimet e nevojshme për shmangien e pasojave dhe për kryerjen e punimeve që parandalojnë shembjet e mëtejshme”, thuhet në faqen e qytetit të Kragujevcit.

Radosh Petroviq pohon se të gjitha ndërtesat përreth kantierit janë të sigurta.

“Unë kam marrë përsipër të punoj me një ekip ekspertësh për sanimin e situatës dhe jemi afër përfundimit. Brenda katër ditëve do të përfundojmë një pjesë të madhe të punës, ku do të jemi 100% të sigurt për parandalimin e shembjeve të mëtejshme”, deklaroi Radosh Petroviq për Radion Evropa e Lirë më 2 dhjetor.