Kryeministri në detyrë, Albin Kurti nuk ka komentuar kritikat e Ambasadës Amerikane në Kosovë karshi Lëvizjes Vetëvendosje pas moscertifikimit të Listës Serbe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Pas pjesëmarrjes së tij në konferencës së 10-të të Mjedrës në Kosovë të organizuar nga Shoqata Nacionale “Mjedra e Kosovës”, kur u pyet nga gazetarët për kritikat karshi vendimit të partisë që ai udhëheqë për moscertifikimit të Listës Serbe, Kurti nuk foli para mediave.
Gjatë ditës, Ambasada e SHBA-së në Kosovë ka reaguar ndaj përpjekjeve të VV-së për të bllokuar certifikimin e Listës Serbe në zgjedhjet në Kosovë, duke i cilësuar ato si të shkurtra në vizion dhe përçarëse.
Në reagim thuhet se të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të kenë mundësi të ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike.
Sipas ambasadës, veprime të tilla cenojnë stabilitetin e vendit dhe interesat amerikane, përfshirë rifillimin e dialogut strategjik për zhvillimin e bizneseve amerikane dhe kosovare.
“Përpjekjet e VV-së për të bllokuar certifikimin e Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet në Kosovë janë të ngushta në vizion dhe përçarëse. Të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të kenë mundësi t’i ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike. Veprime të tilla cenojnë stabilitetin e Kosovës dhe interesat e SHBA-së, përfshirë edhe rifillimin e dialogut strategjik për të avancuar mundësitë për bizneset amerikane dhe ato kosovare”, thuhet në reagimin e Ambasadës.
Të martën, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sërish nuk e ka certifikuar Listën Serbe. Dy vota ishin për, dy kundër dhe shtatë abstenim.
Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi dhe anëtarja serbe votuan për, ndërsa dy anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, votuan kundër. Partitë tjera kanë abstenuar.
SHBA kritikon VV-në për moscertifikimin e Listës Serbe: Veprime shkurtpamëse dhe përçarëse











