Ambasada amerikane në Kosovë, ka kritikuar ashpër Lëvizjen Vetëvendosje pas moscertifikimit të Listës Serbe për zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke thënë se përpjekjet e saj për ta bllokuar këtë proces janë shkurtpamëse dhe përçarëse.
Lidhur me këtë, në emisionin “Kosova Today”, gazetari Ardian Gaxherri tha se kryeministri në detyrë, Albin Kurti po hyn “all in” në minimin e shtetit dhe përmbysjen e rendit kushtetues, transmeton Klankosova.tv.
Pos tjerash, ai thotë se Lista Serbe nuk është asgjë tjetër pos mjet i Kurtit për të marrë pushtetin.
“Albin Kurti po shkon ‘all in’ në minimin e shtetit dhe përmbysjen e rendit kushtetues. Unë ashtu e shoh, duke e pasur parasysh se në zgjedhjet e kaluara parlamentare, e bëri të njëjtën gjë që e bëri tash me Listën Serbe, po ashtu edhe në zgjedhjet lokale, dhe dy herë PZAP e ktheu mbrapsht. Por unë kam një pyetje për bashkëkombësit e mi në Kosovë, a po na ndal neve Lista Serbe me zhvillu ekonomikisht vendin, me shëru arsimin, shëndetësinë, sigurinë? Jo! Neve nuk po na ndalon Lista Serbe, ajo është mjet i Albin Kurtit për të marrë pushtetin”, u shpreh Gaxherri.
Nga ana tjetër, analisti Ardian Zeqiri, moscertifikimin e Listës Serbe nga ana e KQZ-së, e quajti një lloj kurthi për partitë ish-opozitare.
“Është bërë një farë lloj kurthe, që partitë e opozitës që janë në KQZ të votojnë kundër këtij mocioni, sepse është i paligjshëm. Nuk mundet mos me u certifiku një parti politike vetëm pse një përfaqësuesi politik në KQZ i teket një e tillë”, tha Zeqiri.
Ndërkohë, Arton Muhaxheri thotë se veprimet e anëtarëve të KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, për moscertifikimin e Listës Serbe, sipas tij, nuk mund t’i lajnë gjynahet për raportin dhe bashkëpunimin që ky subjekt politik ka pasur me Sërpkasan.
“Veprimi i djeshëm i anëtarëve të VV-së në KQZ, nuk mund t’i fshijë gjynahet e këtij subjekti politik për raportin dhe bashkëpunimit që ky subjekt politik ka pasur me Listën Serbe. Ne kujtomë përgjimet e Mimoza Kusari-Lila, e cila ishte shefe e Grupit Parlamentar të këtij subjekti politik. Dihet se çfarë u diskutua, u diskutua për pagat e veteranëve, u diskutu për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, dhe kjo nuk mund të lahet”, tha Muhaxheri.











