Maliqi: Të drejtat e serbëve i kthyem në problem ndërkombëtar dhe në municion për Vuçiqin, pasojat paguhen kur të na dalë dehja

Analisti politik, Agon Maliqi, pas reagimeve të vendeve partnere të Kosovës pas moscertifikimit të Listës Srpska në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, tha se të drejtat e serbëve në Kosovë janë kthyer në problem ndërkombëtar dhe se kjo përbën municion për presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Këto veprime Maliqi i përshkroi si autogola dhe paralajmëroi edhe ndërhyrje më të madhe ndërkombëtare që do të sjellë pasoja.

“Bombat prej jashtë na e mundësuan lirinë prej Serbisë. Nuk ka bombë prej jashtë që mundet me na shpëtu prej budallakisë sonë kolektive. Këtë punë mund ta bëjmë veç vetë. Ja edhe një rast me 28 dhjetor. Kjo punë nuk ka të bëjë me nënshtrim ndaj dikujt. Harroni reagimet prej Ambasadave, BE-së, OSBE-së dhe të gjithë mekanizmave ndërkombëtarë që dikur ishin adresa shprese për ne si popull i shtypur. Sepse ta zëmë se ata janë duke e ndjekur interesin e vet dhe se e gjithë bota demokratike është dehur dhe vetëm ne jemi esëll”.

Maliqi tha se duhet të shtrohet pyetja se cili është interesi i Kosovës me sajimin e betejave politike që e izolojnë Kosovën nga bota.

“Thjesht ta pyesim veten se cili është interesi i Kosovës, dhe në cilin univers paralel ky interes ndiqet më mirë duke sajuar beteja të panevojshme politike që na izolojnë prej botës së cilës duam t’i takojmë? Me autogola të vazhdueshëm dhe për nevoja populiste, të drejtat e serbëve i kemi kthyer në problem ndërkombëtar dhe në municion për Vuçiqin, dhe kjo do të rezultojë me ndërhyrje edhe më të madhe ndërkombëtare, pasojat e së cilës do të paguhen kur të na dalë dehja”.

Përpkjekjet e Lëvizjes Vetëvendosje për të parandaluar certifikimin e Listës Srpska në KQZ, pavarësisht se PZAP e Gjykata Supreme në herët e kaluara vendosën pro certifikimit të saj, u dënuan nga ambasadat perëndimore në vend.

Ajo e SHBA-së paralajmëroi për dëmtim të stabilitetit dhe interesave amerikane në vend, përfshirë edhe rifillimin e dialogut strategjik.