Motra e Imran Khan ngre alarmin: “E mbajnë në qeli të izoluar dhe të torturuar”

Prej gati një muaji familjarët dhe avokatët nuk janë lejuar të vizitojnë ish-kryeministrin pakistanez.

Familja e ish-kryeministrit pakistanez Imran Khan ka bërë një apel publik drejtuar Mbretit Charles, duke kërkuar që ai të reagojë ndaj trajtimit “çnjerëzor” të liderit të opozitës, i cili mbahet në izolim të plotë në burgun Adiala në Rawalpindi.

Aleema Khanum, motra e tij, tha se prej gati një muaji familjarët dhe avokatët nuk janë lejuar të vizitojnë 73-vjeçarin, duke ngritur shqetësime serioze për shëndetin dhe sigurinë e tij.

“Si mundet një vend anëtar i Commonwealth të shkelë hapur parimet e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut, ndërsa pjesa tjetër hesht?”, deklaroi ajo.

Khan po vuan një dënim 14-vjeçar për korrupsion, akuza që ai i quan të sajuara nga ushtria për ta larguar nga politika. Ushtria i ka mohuar akuzat.

Familja thotë se kushtet në burg përbëjnë trajtim torturues.

“Imran po mbahet 24 orë në një qeli 8 me 10, pa vizita, pa komunikim. Ne shqetësohemi për sigurinë e tij”, tha Khanum.

PTI, partia e tij, ka mbajtur protesta jashtë burgut, ndërsa hashtag-u #WhereIsImranKhan është bërë viral në rrjetet sociale.

Zëdhënësi i PTI-së, Sayed Zulfikar Bukhari, tha se qeveria po e izolon për të shmangur çdo deklaratë të tij për ndryshimet që ai i quan “antikushtetuese”.

“Është alarmante që vendet perëndimore, që mburren me demokraci, po heshtin përballë një regjimi të tillë”, theksoi ai.

Qeveria pakistaneze i ka quajtur akuzat “manovra politike”, duke këmbëngulur se Khan gëzon shëndet të mirë.

Ministri i Brendshëm Talal Chaudhry i quajti raportimet “thashetheme”, ndërsa u bëri thirrje mbështetësve të PTI të mos “përhapin panik”.