Mes rreshtave të mesazheve të Putinit dallon një përzierje e njohur midis paralajmërimit dhe notave të forta propagandistike.
Në prag të nisjes së bisedimeve mes delegacionit amerikan dhe atij rus në Moskë, Kremlin-i ka lëshuar një tjetër sinjal provokues drejt kryeqyteteve evropiane.
Presidenti Vladimir Putin, duke iu referuar propozimeve të paraqitura nga BE-ja, i cilësoi ato si “plotësisht të papranueshme për Rusinë”, duke u shprehur se Evropa po pengon çdo përpjekje për të avancuar drejt një marrëveshjeje paqeje.
Sipas Reuters, Putin ka akuzuar udhëheqësit evropiane se “nuk kanë një agjendë paqësore” dhe se po minojnë edhe iniciativat e propozuara nga Shtetet e Bashkuara. Retorika e tij është shoqëruar me paralajmërime të hapura, në një moment kur diplomacia ndërkombëtare po përpiqet të gjejë një dritare për shmangien e përshkallëzimit të mëtejshëm.
“Nëse Evropa do luftë, ne jemi gati”, deklaroi ai, duke përdorur një ton sfidues të ngjashëm me deklaratat e mëparshme që kanë paralajmëruar tensione të reja.
Mes rreshtave të mesazheve të Putinit dallon një përzierje e njohur midis paralajmërimit dhe notave të forta propagandistike.
Megjithatë, kujdesi me të cilin u artikuluan këto mesazhe vë në pah se Kremlini dëshiron të hyjë në bisedimet me SHBA-të me një pozicion sa më të fortë negociues, duke vendosur Evropën në rolin e “penguesit” të procesit.
Bisedimet e sotme pritet të jenë ndër më delikatet e muajve të fundit, ndërsa nga Kievi pritet me vëmendje çdo sinjal nga takimi në Moskë, i cili mund të diktojë hapat e ardhshëm të palës ukrainase.











