Njëherë urim tamam për Hamzën, sot “veç fytyrë tjetër”: Kurti i pavendosur se si ta shohë PDK-në

Albin Kurti është ‘forma’ e përhershme e partisë së vet, por re-formën ia kërkoi Partisë Demokratike të Kosovës.

Reformë në mënyrë që PDK-ja të mund të pranojë një letër-ftesë koalicioni, si ajo që ia dërgoi Lidhjes Demokratike të Kosovës, jo një, por dy herë.

Kështu, ai nga Osllo, në një miting zgjedhor në fundjavë, e vizatoi për politikisht të pamundshme koalicionin me PDK-në.

Ndërkaq, dy javë më parë, Albin Kurti, nga profili i vetë në Facebook i shkroi urim Bedri Hamzës për zgjedhjen e tij kryetar të PDK-së.

Me fjalë të përzgjedhura dhe të përgjithësuara si “e mira e interesit publik” ai iu referua “bashkëpunimit të ndërsjellë”, çka, jo nga pak-kush, u pa edhe si tingëllimë përafrimi politik drejt PDK-së.

Për emrin e përvetshëm të Bedri Hamzës, Albin Kurti edhe asobote opozitar fjalët i kishte më të kalibruara për-mirë. Por, i ndërroi sërish.

Tha se ai është kryetarit i PDK-së, por kryetar i të cilës parti “është dikush që s’është kryetar”.

“Ju e patë që kot del i pari, kot je më i madh se i dyti dhe i treti së bashku nëse nuk e ke shumicën vetë, meqë autmatikisht edhe ata që nuk janë me njëri-tjetrin, kundër teje po bashkohen. Tash kjo nuk është racio”nale por për fat të keq, jemi në një situatë jo vetëm tani, por që nga viti 2021, që ja shumë inat dhe xhelozi në politikën kosovare, pra nuk po kalon hiç.

Ne diku e kemi ende PDK-në nëpër administratën publike, ende dominon nëpër media, ende dominon në sistemin e drejtësisë dhe nuk e kemi konsideru të udhës një letër të tillë për PDK-në. Në PDK duhet me ndodhë reforma, me thënë të drejtën nuk kanë ndodh reforma, aty po ndodh ndërrimi i fytyrës së kryetarit, por gjithmonë kryetar është dikush që s’është kryetar”, thotë Kurti.

Javë më parë, Albulena Haxhiu, në “Debat Plus” megjithatë nuk artikuloi dhe as pranoi se kanë vija të kuqe për PDK-në pas zgjedhjeve të 28 dhjetori.

Kur moderatori i kërkoi me “Po, Jo?” nëse kanë vija të kuqe, Haxhiu pauzoi.

“Të presim njëherë rezultatin e 28 dhjetorit”, tha ajo, e qeshur.

Ndërkaq, minutë më herët, e ditë më herët, ajo fotografoi PDK-në duke votuar në Kuvend të Kosovës kundër mandatarit Glauk Konjufca.

“Në harmoni të plotë (me Listën Serbe)”, shkroi Haxhiu dhe zgjoi polemika të ashpra politike nga PDK-ja dhe ish-ushtarë me nam të UÇK-së.

Goditjet e Kurtit ndaj PDK-së

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një intervistë për Tëvë1 më 2 korrik 2025, tha se nuk sheh mundësi bashkëpunimi me Partinë Demokratike të Kosovës, duke e arsyetuar me, siç u shpreh ai, mungesë reformash brenda kësaj partie.

Unë prej përvojës politike dhe prej lajmeve dhe krejt çfarë dihet publikisht, e kam të qartë që PDK nuk është reformuar. Në PDK ekzistojnë ose 4, ose 5 kryetarë. Nuk e di a i ka 4 a 5, por jam i sigurt që nuk i ka 3, nuk i ka as 2, as 1”, deklaroi Kurti. Ai shtoi se dy ish-kryetarët e PDK-së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori 2020 nën akuza për krime lufte, “duhet t’i vizitojnë shpesh edhe për instruksione politike”.

Deklaratat e Kurtit nxitën reagim të menjëhershëm nga zyrtarë të PDK-së. Sekretarja e partisë, Vlora Çitaku, e akuzoi Albin Kurtin se po ndihmon Prokurorinë e Hagës me deklaratat e tij.

“Albin Kurti, me vetëdije të plotë, ka vendosur sërish t’i shërbejë Prokurorisë në Hagë, kësaj radhe duke sulmuar Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin. Madje, ka pasur guximin të thotë se ne i vizitojmë për të marrë ‘instruksione’. Kjo nuk është as politikë, as rastësi. Është qëllim i pastër dhe vazhdimësi e një fushate të kahmotshme”, shkroi Çitaku.

Ajo e kundërshoi pohimin e Kurtit për gjendjen e brendshme në PDK, duke thënë: “Në PDK është ndryshe. Ka diskutim. Ka mendim kritik. Ka demokraci. E kuptoj që kjo mendësi është e huaj për ty.”