Rama: Më në fund ka filluar alokimi i pjesshëm i mjeteve, do të punojmë jashtë orarit për procesimin e pagesave

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, konfirmoi se ka filluar alokimi i pjesshëm i mjeteve nga Ministria e Financave për Komunën e Prishtinës.

Rama tha se Drejtoria e Financave e Kryeqytetit do të vazhdojë punën sot, jashtë orarit të rregullt të punës, me qëllim të procesimit sa më të shpejtë të pagesave.

“Lajm i mirë për qytetarët dhe punëtorët e Kryeqytetit: më në fund ka filluar alokimi i pjesshëm i mjeteve financiare nga Ministria e Financave drejt Kryeqytetit. Drejtoria e Financave e Kryeqytetit do të vazhdojë punën sot, jashtë orarit të rregullt të punës, me qëllim të procesimit sa më të shpejtë të pagesave. Në përputhje me dinamikën e alokimit të mjeteve nga Ministria, ne si komunë do të vazhdojmë me procesimin e pagesave në mënyrë të vazhdueshme dhe të rregullt. Presim që sa më shpejtë të përfundojë alokimi i plotë i shumës prej 25 milionë eurosh nga Ministria. Falënderojmë qytetarët dhe punëtorët për mirëkuptimin, durimin dhe bashkëpunimin!”, ka shkruar Rama.