Ministri në detyrë, Hekuran Murati, ka njoftuar se ia kanë alokuar 2.7 milionë euro Komunës së Prishtinës, një shumë për të cilën tha se është e nevojshme për pagesën e operatorëve të transportit publik, sipas vendimit të Kuvendit të Prishtinës për të hyrat vetanake.
Ndërkaq, Murati tha se pjesa e tjetër nuk mund të kryhej sot meqë “kapitalet duke qenë në shumë linja marrin kohë më gjatë”.
Ai akuzoi Komunën e Prishtinës se duke qenë në dijeni për kohën që marrin procedurat ka deklaruar se Ministria e Financave nuk po i alokon mjetet.
Postimi i plotë:
Tashmë janë alokuar mjetet në kategorinë mallra dhe shërbime në vlerë prej 2.7 milionë euro, e nevojshme për pagesën e operatorëve të transportit publik, sipas vendimit të Kuvendit të Prishtinës për të hyrat vetanake. Kjo pjesë është proceduar veçmas nga pjesa tjetër prej 25.9 milionë eurove e projekteve kapitale në mënyrë që të kryhet sot me prioritet, sepse kapitalet duke qenë në shumë linja marrin kohë më gjatë dhe nuk ishte e mundur të kryheshin sot”.
Vendimi i marrë nga Komuna e Prishtinës të enjten në mbrëmje për të hyrat vetanake, sipas legjislacionit në fuqi fillimisht duhej të kalonte verifikimin e ligjshmërisë, proces ky që bëhet nga ana e MAPL-së.
Në rastet kur vendimi ka të bëjë me çështje financiare/buxhetore, ligjshmëria duhet të verifikohet edhe nga MFPT-ja.
Ky proces, pra verifikimi i ligjshmërisë është kryer dje në afat rekord nga të dyja Ministritë, edhe nga MAPL edhe nga MFPT, ashtu siç u pata premtuar në takim përfaqësuesve të sindikatave të transportuesve publikë.
Para ditës së djeshme ka qenë e pamundur të kryhej ky proces sepse siç e dini e premtja dhe fundjava nuk ishin ditë pune.
Ndërkaq sot Departamenti i Buxhetit kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me zyrtarët financiarë të Komunës së Prishtinës për të siguruar procedurë sa më të shpejtë, që nënkupton se Komuna kanë qenë të informuar përgjatë tërë procesit dhe për ecurinë e alokimit.
Prandaj është për keqardhje sjellja e deklaratat dezinformuese nga ana e Komunës së Prishtinës që gjoja Ministria nuk po bën alokimin e mjeteve, kur në fakt edhe ata vetë e dinë që kemi të bëjmë me procedura që nuk mund të tejkalohen.
Gjithsesi, uroj që komuna të ketë vlerësuar saktë obligimet financiare në kategorinë mallra dhe shërbime, kur ka vendosur të ndajë vetëm 2.7 milionë euro, dhe tash të shlyejë të gjitha borxhet që ka ndaj operatorëve të transportit publik, e me këtë të marrë fund edhe farsa për gjoja bllokadën e pretenduar.











