Konfirmohet në KQZ: Ende s’i kanë marrë paratë nga Qeveria për zgjedhjet e 28 dhjetorit

Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, u diskutua për buxhetin e këtij institucioni për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit.

Ani pse KQZ kishte miratuar planin e buxhetit më 25 nëntor, drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala, tha se ende nuk kanë marrë ndonjë njoftim për buxhetin nga Ministria e Financave, pra KQZ ende nuk është pajisur me mjete financiare.

Kërkesa zyrtare drejtuar qeverisë me vlerë 11.5 milionë euro, nuk është përfillur ende nga ana e kësaj ministre.

“Mund të na informoni se deri ku ka shkuar çështja e miratimit të buxhetit, sepse pa buxhet nuk mund të zhvilloni asnjë operacion zgjedhor. Kisha dashur me iu pyet a është vonë mosndarja e buxhetit deri në këtë kohë, sa i përket operacioneve zgjedhore?”, pyeti Ilir Gashi, anëtar i KQZ-së nga radhët e PDK-së.

“Më 25 nëntor 2025, KQZ ka miratuar planin e buxhetit për zgjedhjet e parakohshme të Kuvendit të Kosovës. Ne menjëherë të nesërmen, përmes kërkesës, përmes arkivit dhe email-it, i kemi dërguar në Ministrinë e Financave. Aktualisht nuk kemi asnjë njoftim lidhur me kërkesën që është parashtruar”, u përgjigj Buzhala.